Autori i shtatores së Adem Jasharit në Prizren ka treguar se skulptura nuk është profesioni i tij.

Alban Buxhovi në një intervistë për emisionin ‘Frontal’ të kanalit kosovar T7 ka deklaruar se në profesion është berber dhe sklupturën e ka hobi.

Ai ka treguar se shtatoren e Adem Jasharit e ka punuar në oborrin e shtëpisë së tij dhe se nuk zotëron një punishte për krijimtaritë që bën. Ndërkaq, ai shprehet se i është dashur 3 muaj kohë për të përfunduar statujën. Nuk harron të përmend se për krijimtarinë e tij nuk kanë munguar dhe komentet pozitive.

“I kam marrë për zemër kritikat unë dhe familja ime….Pasi u vendos aty erdhën komente negative, nuk e kam pritë kaq shumë me pas kritika, ka pas shumë vlerësime, por unë ju kam përkushtuar shumë përmendores së Adem Jasharit, kam punuar tre muaj me shumë përkushtim vetëm me realizuar shtatoren, kam punuar deri në 12:00 të natës, jashtë në oborr se s’kam punishte. E kam hobi, se unë me profesion jam frizer (berber)”, tha Buxhovi në T7.

Kujtojmë që statuja e Adem Jasharit është një nga dy statujat që u vendosën në qendër të Prizrenit më 28 Nëntor, e që për pamjen e saj, ka marr shumë komente e diskutime.