Protesta në kryeqytet për të kërkuar drejtësi pas vrasjes së Klodian Rashës, vazhdon. Qytetarët e revoltuar nuk kanë kursyer asnjë institucion.

Disa protestues kanë thyrë derën kryesore të Muzeut Kombëtar dhe janë futur në godinën e Ministrisë së Financave dhe nisën të godasin me shkopinj objektet brenda saj. Qëndrimi i tyre nuk zgjati shumë pasi ata u nxorën jashtë me gaz lotsjellës.

Me gurë u sulmua dhe selia e PS-së. Disa deputetë që kanë qenë në selinë e PS janë larguar menjëherë, pasi protestuesit kanë tentuar të hyjnë në hollin e selisë. Protestuesit hoqën tabelat përgjatë rrugës “Ibrahim Rugova” dhe thyen semaforët.

Qytetarët kanë bllokuar dhe hyrjen e rrugës së Durrësit nga ana e qendrës së Tiranës. Ata kanë vendosur kangjellat e hekurit me të cilat policia kishte rrethuar Ministrinë e Brendshme.

Shkatërrimit nuk i ka shpëtuar as Muzeu Kombëtar. Protestuesit kanë ‘shfryrë’ inatin e tyre duke thyer xhama si dhe kanë prishur grilat e dritareve.

Gjithashtu qytetarët që kanë pushtuar rrugët e Tiranës prej më shumë se 2 orësh kanë sulmuar ambasadën zviceriane që ndodhet në rrugën ‘’Ibrahim Rugova’.

Protestuesit kanë thyer xhamat e vendqëndrimit të rojes së ambasadës në hyrje të selisë diplomatike në Tiranë, teksa dyshohet se mjete të forta të jenë hedhur edhe në ambientet e brendshme të saj.

Ndërkohë, thyerje xhamash dhe dëmtime të rënda janë shënuar edhe në godinën e Komisionit Zgjedhor, teksa marshimi i qytetarëve po zhvillohet në rrugën e Elbasanit.