Policia shqiptare njoftoi të shtunën se nga protesta e mbrëmjes së të premtes kishte shoqëruar në komisariate mbi 100 persona, kryesisht nën moshën 20 vjeç.

Sipas asaj çka u komunikua nga uniformat blu, për një pjesë e tyre do të niset procedimi penal në gjendje të lirë, ndërkohë që ka një numër të lartë protestuesish të cilët po verifikohen përmes pamjeve filmike dhe që pritet të shoqërohen në vijim nga policia.

Të premten ishte mbrëmja e tretë që u protestua në Tiranë për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia.

Kësaj here u kërkua reformimi i policisë dhe dorëheqja e drejtorit të përgjithshëm Ardi Veliu.

Protesta ishte paralajmëruar të zhvillohej para Kryeministrisë, por protestuesit nuk u lanë të mblidheshin aty pasi policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës.

Ata më pas iu drejtuan Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Policia më pas angazhoi forcat Shqiponja dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Për rreth tre orë situata mbeti e njëjtë, grupe protestuesish përpiqeshin të grumbulloheshin dhe punonjësit e policisë, që i shpërndanin menjëherë me ujë dhe gaz lotsjellës.

Revolta, kryesisht e të rinjve, vjen pasi më 8 dhjetor një punonjës policie vrau me armë 25-vjeçarin Klodian Rasha, i cili po lëvizte përtej orës së lejuar 22:00.

Të premten punonjësi i policisë u përball me akuzën e vrasjes “në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe u la në masën “arrest me burg”.

Çështja mbetet nën hetim pasi pretendohet se Rasha ishte i armatosur dhe e kërcënoi policin përpara se të qëllohej.