Vlladimir Peshevski dhe Kirill Minovski, funksionarë nga koha e Nikolla Gruevskit, nuk do të ndajnë më këshilla falas për Qeverinë. Për shkak të kritikave të publikut, pasi u zbulua se Peshevski, i cili akuzohet nga ish PSP-ja në rastin “Trajektorja”, i ka dhënë këshilla për masat ekonomike Zëvendës Kryeministrit Fatmir Bytyqi, ai u hoq nga organi jozyrtar këshillues “Për atdheun, me dashuri”. Kryeministri Zoran Zaev shpjegoi se nuk bëhet fjalë për këshilltarë, por për konsulentë, dhe se është mirë që ka njerëz nga opozita, pa përmendur kriteret me të cilat e gjendën në listë Vladimir Peshevski dhe Kiril Minovski.

“Këtu ka shumë njerëz nga opozita, ja këto dy që i përmendni u tërhoqën nga kritikat e publikut, ai u tërhoq nga kritikat e publikut, por edhe një herë dua ti konfirmoj parimet, e dini, unë shpesh flas me Mickoskin, i cili mendoj se është njësoj i përfshirë, fajtor për marrëzi nga ajo periudhë, nga viti 2006 deri në vitin 2016, por ja ulemi dhe flasim, por kjo nuk do të thotë se dikush është anëtar i Qeverisë, merr pjesë si këshilltar në kabinetin e një ministri, nënkryetari, etj”, deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër i RMV-së.

Në llogaridhënien për njëqind ditët e para të Qeverisë, Zëvendës Kryeministri Bytyqi, aksidentalisht ose jo, nuk ishte i pranishëm për t’iu përgjigjur pyetjes pse të enjten emrat e Peshevskit dhe Minovskit u zhdukën nga lista e konsulentëve. Katër ditë më parë, publiku kërkoi publikimin e listës për të parë se kush ka dhënë këshilla se si të krijoheshin politikat ekonomike të qeverisë, pas së cilës Bytyqi në faqen e tij në Facebook publikoi një listë të emrave ku nuk figuronin Peshevski dhe Minovski. Megjithatë, mediat arritën dhe e publikuan procesverbalin e qeverisë, nga takimi më 2 dhjetor, ku jo vetëm që figurojnë emrat e tyre, por ata gjithashtu i kanë dhënë këshilla Bytyqit, dhe kanë mundur të kenë ndikim në politikat e qeverisë. Përveç aktakuzës së PSP-së kundër Peshevskit, ai është i njohur për publikun si një nga figurat më të sulmuara nga LSDM, derisa ishte në opozitë, por edhe pasi Social Demokratët erdhën në pushtet. Në 3 vitet e fundit, qeveria e LSDM-së thoshte se autostrada Kërçovë – Ohër nuk mund të përfundojë pa huamarrje shtesë të qytetarëve prej 200 milion eurove, sepse janë bërë gabime të mëdha në projektim. Pikërisht kjo pjesë e autostradës është pjesë e aktakuzës në rastin “Trajektorja”.

0