Anthony Joshua mposhti Pulevin të shtunën mbrëma dhe tashmë e ka rrugën e hapur për duelin e shumë kërkuar për kampion të padiskutueshëm të peshave të rënda.

31- vjeçari pritet të përballet me bashkëkombësin e tij, Tyson Fury, gjatë vitit të ardhshëm, ku fituesi do t’i ketë në pronësi të gjithë titujt e botës.

Promotori i Joshuas, Eddie Hearn, ka bërë të ditur se janë gati të arrijnë marrëveshjen për zhvillimin e këtij meçi dhe fitimet do të ndahen 50-50 me nga 110 milionë të fituara për secilin.

“Të gjithë jemi pro atij meçi. E vetmja gjë që duhet zgjidhur është lokacioni dhe disa çështje televizive. Kaq”.

“Të gjithë (nga të dyja palët) janë pajtuar për financat, 50-50 për duelin e parë, 60-40 në duelin e dytë për fituesin”.

“Mund ta nënshkruajmë një marrëveshje dhe pastaj të bisedojmë për lokacione të ndryshme, të shohim se ku mund t’i marrim paratë”, ka deklaruar Hearni.

Ai ka shtuar se shumë totale prej 220 milionë eurosh (nga 110 milionë euro secili) është ajo që presin dy boksierët nga një duel i tillë unifikues, që fituesin do ta bënte kampion të padiskutueshëm në kategorinë e peshave të rënda.

Vitin e ardhshëm do të mund të kemi kampion të padiskutueshëm të botës në pesha të rënda për herë të parë që nga Lenox Lewisi.