Kujtim Kasami

Është e njohur thënia:”njerëzimi do të vazhdoj të jetoj për aq kohë sa dinë të organizohet”- dhe jo rastësisht ka ndodhur që disa popuj janë zhdukur dhe disa kanë vazhduar në rrugëtimin e jetës, dhe disa të tjerë fuqishëm janë ngritur dhe janë lartësuar dhe kështu kanë ndikuar në ngritjen dhe formësimin e civilizimeve dhe qytetërimeve.
Në këtë trajtesë do të gjejmë përgjigje të ndryshme të karakterik historik, biologjik apo fetar. Shumë nga ne japim përgjigje të menjëhershme të shembullit, ” se ky është kaderull-llah – caktimi i Zotit”. Në fakt, pa ndodhur diçka, ne nuk e dijmë caktimin e Zotit! Dhe, me këtë përgjigje apo gjykim nuk bëjmë dobi sa herë të lehtësojmë veten dhe të dalim nga situatat e ndryshme jetësore.
Në këtë kontekst, në raport individ-pandemi; individ-ndryshime shoqërore; individ-kriza (ekonomike, psikike, shëndetësore, etj), shtohet pyetja logjike çfar duhet të bëjë individi, ose më saktë për çka ka nevojë individi i së tashmes?

E para e punës, njeriu nuk ka qenë i përgaditur për tani, për këtë situatë.
Me fuqizimin e procesit të globalizimit u mendua se shumë aspekte të jetës njerëzore do të kenë zgjidhje. Unë mendoj se globalizimi nuk është i mirë, por as nuk është i keq, por si proces me të gjithë format e tij nuk është zgjidhje e duhur dhe nuk jep përgjigje për shumë çështje jetësore jetike për njerëzimin.
Sfidat e procesit të globalizimit mund të përmblidhen në këto pika:

1. Së pari, në vend të rritjes ekonomike, ka ndodhur rritja e varfërisë, me përjashtim të Kinës. Ky konstatim mund të argumentohet në bazë të këtij fakti: deri në 40% të popullatës botërore jetojnë në varfëri, afro 36% respektivisht 877 milionë njerëz jetojnë nën linjën e varfërisë absolute;

2. Së dyti, shteti-komb tradicional në epokën e globalizimit përballet me zvogëlimin e shtrirjes së autoritetit të tij në vend dhe në arenën ndërkombëtare;

3. Së treti, globalizimi na ka mundësuar që të jetojmë në lokalitete, por gjithmonë duhet të mendojmë globalisht dhe ta paramendojmë veten si pjesë të komunitetit global;

4. Së katërti, “problem themelor ekologjik në epokën e globalizimit është vështirësuar e ndërlikuar, larmia biologjike është në varfërim të shpejtë, po përkeqësohet cilësia e jetës së njeriut si pasojë e shtimit të faktorëve ndotës të mjedisit dhe të biospheres” ;

5. Së pesti,” ndërvarësia e shteteve të botës u rrit jashtëzakonisht. Kjo ka dalë në pah lidhur me varësinë e ekonomive të shteteve në tregëtinë e tyre me njëri – tjetrin” .

6.Së gjashti, procesi i globalizimit dështoi në raport me “procesin e pandemisë së Covid 19”.

Nga perspektiva e së tashmes, mendoj se çdo individ- njeri ka shumë nevojë ti kthehet vetes dhe të angazhohet në ndërtimin, formësimin, fuqizimin dhe “përsosjen” e vetes së tij.

Tani e tutje secili nga ne duhet të angazhohet maksimalisht për shëndetin e tij dhe t’ja kujtoj vetes dhe të tjerëve premisën klasike romake “Mens sana in corpore sano” – mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë, sepse dështoi sistemi botëror shëndetësor, ose ka qenë i dështuar por në këtë situatë doli në sipërfaqe. Këtë që them e vërtetoj me faktin se:
“Numri i vdekjeve nga pandemia e llojit të ri të koronavirusit (Covid-19) në botë tejkaloi 1 milion e 465 mijë njerëz ndërsa numri i rasteve të infeksionit është mbi 63 milionë e 73 mijë.”
Mund të flasim sa të duam për heroizma të tipit shëndetësor, por e vërteta është kjo që argumentohet me fakte, dhe tani në globin tokësor të “zhvilluar dhe të përparuar” në shek. 21 kemi humbje apo vdekje të njerzëve afro 1.5 milion.

Kjo ndodh sepse njeriu më nuk trajtohet si vlerë, si mëkëmbës në tokë, por thjeshtë si diçka materiale, si diçka që mund të zavendësohet me diçka tjetër, psh. me robotikën.

Por çështja është se njeriu është krijesa me më shumë vlerë, me shpirt, me kulturë, me qytetrim dhe me logjikë. Asgjë nuk e zavendëson qenien njeri.

Prandaj, tani është domosdosshmërisht vet njeriu të bëhet mjek, të fuqizoj imunitetin e tij, të kujdeset për shëndetin e tij….!

Në këtë gjendje të krijuar individi jashtëzakonisht rëndohet psikikisht, dekurajohet plotësisht, deri në nivelin e humbjes së dëshirës për të jetuar.

Kjo, assesi nuk duhet lejuar, sepse individi ka fuqi të pakufishme për të fuqizuar anën e brenshme të tij, për të motivuar vetëbesimin dhe për të përmirësuar gjendjen psikike dhe fizike.

Tani kemi nevojë secili nga ne të lexoj libra të bukur të psikologjisë këshilluese për të parë jetën në perspektivën e të ardhmes më të mirë dhe më të bukur!

Tani kemi nevojë të investojmë në veten tonë, për të përgaditur për një kohë e cila nuk do jetë e lehtë për të jetuar!

Dr.Kujtim Kasami