Gjatë 10 viteve të fundit, mbi 80 mijë maqedonas janë pajisur me shtetësi bullgare.

Kjo u bë e ditur sot nga ministrja e drejtësisë e Bullgarisë, Desisllava Ahlladova gjatë një fjalimi në Kuvendin bullgar, ku temë kryesore ishin raportet me Maqedoninë e Veriut, përcjell INA.

Sipas saj, të gjithë ata që kanë bërë aplikimet janë bazuar dhe kanë deklaruar se kanë origjinë bullgare.

Shifrat zyrtare bëjnë të ditur se këto shtetësi janë dhënë gjatë periudhës 2010 – 2020, duke u respektuar ligjet dhe dekretet shtetërore.

Në seancën e Kuvendit ka pasur debate të zjarrta se përse maqedonasit vrapojnë pas shtetësive bullgare për tu shfrytëzuar të mirat që i ofrohen atyre si qytetarë të BE-së, ndërsa në vendin e tyre udhëhiqet politikë e paparë kundër Bullgarisë.