Faton Peci, Shef i Kabinetit të ushtrueses së Detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, iu ka kundërpërgjigjur ish Sekretarit të Zyrës së Presidencës, Driton Gashi, duke thënë se ky i fundit ka këmbëngulur që t’i merrte dokumentet konfidenciale nga kasaforta në Presidencë.

Peci ka thënë se e ka zënë Gashin bashkë me një agjent të AKI-së duke tentuar që t’i tërhiqnin dokumentet nga sefi i Zyrës së Presidentit, njofton Klan Kosova.

“Gashin bashkë me një agjent të AKI-së i kam zënë në flagrancë duke sulmuar Presidencën. Është zënie në flagrancë sepse e kanë sulmuar institucionin. Sekretari i Zyrës së Presidentit [Driton Gashi] ka thënë në prezencë time se: Nuk lejoj që këto dokumente të bien në dorën e EULEX”.
“Kur e kam prezantuar vendimin e Osmanit që të nuk lejon të preket sefi, Gashi ka treguar mosbindje duke thënë se do t’i marrë dokumentacionet që janë në sef”.

“Edhe zyrtari i AKI-së ka refuzuar të më përgjigjet se çfarë kërkon në Presidencë. Presidentja pas dy minutave ka ardhur në zyrë dhe e ka ndaluar ndërhyrjen e paautorizuar të Gashit për t’u qasur në kasafortën e sigurisë”.
Peci ka thënë në Rubikon se vet Gashi i ka shkruar një sms, duke i thënë se EULEX do të kryente bastisje në Presidencë.

“Më 6 nëntor kemi pasë një agjendë të ngarkuar me disa takime që kemi pasë t’i zhvillojmë në presidencë, që ka qenë nderimet te varri i ish Presidentit Ibrahim Rugova… Sa po ktheheshim nga Velania kam pranuar sms nga Driton Gashi, ku më thotë se EULEX do t’i bastisë zyret e Presidencës. E kam të shkruar”.
“Jemi zhvendosur në zyrën e kryetares dhe kemi anuluar takimet. Derisa ne po diskutonim Presidentja më bën me dije se jam personi përgjegjës në Presidencë dhe shkova për të parë se a po zhvillohet aksioni i EULEX. Gashi ka qenë me telefon me dorë afër sefit duke tentuar që ta hapë kasafortën. Gashi nuk ka pasë mandat që të ftojë përfaqësuesin e AKI-së për të marrë dokumentacionin. Qasjen duhet ta ketë vetëm presidenti i vendit”.

Ish-shefi i AKI-së Driton Gashi ka thënë se ka qenë dëshmitar në rastin e zhvillimeve me sefin e zyrës së Presidencës.

Gashi shprehet se sefi në zyrën e Presidencës, nuk është hapur dhe për këtë ka qenë dëshmitar edhe Faton Peci, shef i Kabinetit të ushtrues detyrës së Presidentes Vjosa Osmani, njofton Klan Kosova.

”Për secilin zhvillim ka qenë i njoftuar shefi i Kabinetit të saj gjatë gjithë kohës”.

”Ideja që është hapur sefi dhe ka pasur keqpërdorim të autorizimeve, është gënjeshtër. Ka qenë shefi i Kabinetit të saj [Faton Peci], gjatë gjithë kohës”.

”Për secilin veprim ka qenë e njoftuar shefi i Kabinetit të saj. Por, ta cënosh integritetin e personit me gënjeshtra, kjo më nxiti të reagoj”.

”Edhe zotri Peci, që është shefi i Kabinetit të zonjës Osmani ka qenë i pari që është njoftuar për këtë situatë, dhe gjatë gjithë kohës ka qenë prezent me mua nga momenti i arritjes së zyrtarit të AKI-së”.

”Të tre kemi qenë prezentë dhe jemi marrë me çështjen. Pra, sefi nuk është hapur”.