Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, kërkoi përgjigje nga Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj, në lidhje me procedurat e ndërmarra për emërimin Flakron Shalës si konsull në Pragë.

Kjo u bë gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, në pikën e pyetjeve parlamentare, ku Haradinaj iu përgjigj se çdo vendim i saj ishte në përputhje me ligjin, kushtetutën dhe praktikën e deritanishme, si dhe që nuk do të ketë nënshkrime të saj në vendime që janë të jashtëligjshme.

Megjithatë, me kaq nuk përfundoi kjo pike, meqë deputetja Pacolli e akuzoi ministren Haradinaj se nuk po shkon për të raportuar në Komision kur ka media.

“Duhet te vini edhe kur ka media. Mos u fsheh, eja ne Komision. Ti po fshihesh”, deklaroi Pacolli, gjë të cilën e mohoi ministrja, duke thënë se “asnjëherë nuk i kam ikur Komisionit për punë të Jashtme”.

“Ju inkurajoj edhe më tutje që të më ftoni ju dhe deputeti Gjyshinca. Ju kam ftuar edhe në Ministri të Punëve të jashtme, nuk keni ardhur. Kemi diskutuar e debatuar me të gjithë deputetët. Kurdo që keni kohë ju mirëpres. Ku të doni, këtu në Kuvend, apo ku të doni”, u shpreh Haradinaj në foltoren e Kuvendit të Kosovës.