Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar arritjen e një unifikimi të qëndrimeve të Kosovës për dialogun me Serbinë.

Në një konferencë për media të premten, pas një vizite që e kishte në Shqipëri, Osmani tha se për momentin duket se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të lartë ka ngecur, e që sipas saj, edhe ai në nivel teknik nuk po arrin rezultate.

“Në mënyrë që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti apo kushdo të arrijë diçka duhet të ketë riunifikim të brendshëm në Kosovë dhe të dalim me një platformë unike të të gjithë përfaqësuesve shqiptarë në Kuvendin e Kosovës dhe atë platformë ta mbrojmë me ngulm”, tha Osmani.

Herën e fundit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Bruksel më 7 shtator, kur edhe u hap tema e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Takimet në nivel të ekspertëve mbahen me qëllim që të arrihen pajtimet në lidhje me temat që i hapin liderët. Takimet e këtilla, janë mbajtur shtatë herë radhazi, duke u arritur pajtim parimor vetëm në dy tema, ato që kanë të bëjnë me të zhdukurit dhe të zhvendosurit, si dhe bashkëpunimin ekonomik.

Aktualisht, ekspertët diskutojnë për pretendimet finaciare të palëve dhe pronat, dhe deri më tani nuk ka pasur ndonjë përafrim të qëndrimeve në lidhje me çështjet që po trajtohen. Herën e fundit, të enjten , më 10 dhjetor, takimi ka përfunduar madje më herët se që ishte planifikuar. Sipas shefit të delegacionit kosvar, Skender Hyseni, ishte planifikuar që në këtë takim të diskutohet kadastri dhe pensionet, por palët as që kanë arritur që të prekin çështjen e dytë.
Në marsin e vitit të ardhshëm, bëhen 10 vjet që kur ka nisur dialogu në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky dialog fillimisht nisi për çështje teknike, për të evoluar më pas në dialog të nivelit të lartë politik.