Partitë politike në Kosovë ende nuk kanë arritur një marrëveshje për postin e presidentit, megjithëse sot bëhen një muaj prej kur Kosova është me ushtrues detyre të presidentit. “Betonimi” i qëndrimeve të partive parlamentare po konsiderohet si arsye se kjo gjendje do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, përkundër paralajmërimeve të kryeministrit Avdullah Hoti për tryezë politike. Ndërkohë partitë nuk shprehen as të gatshme që krye vete të iniciojnë procedurat në Kuvend për zgjedhjen e presidentit.

Deputeti i LDK-së, Faton Bislimi për KosovaPress thotë se koalicioni qeverisës nuk ka ende një kandidat për president të vendit, por shpreson se do të gjendet një zgjidhje.

“Koalicioni qeverisës ende nuk ka kandidat për president. Ju e dini që ekziston tanimë një ftesë e kryeministrit Hoti për një tryezë me liderët partiak në mënyrë që të dakordohen për mundësinë e zgjedhjes së presidentit. Shpresoj që liderët politikë të vendit do të gjejnë mundësinë më të mirë të mundshme që zgjidhja e presidentit të kryhet. E mandej nëse ka nevojë të shkohet në zgjedhje ne si LDK nuk i frikësohemi zgjedhjeve në asnjë moment”, deklaron ai.

Ani pse ka muaj që AAK-ja ka propozuar Ramush Haradinaj për president të vendit, ata ende nuk e shohin të arsyeshme të mbledhin nënshkrime për të proceduar në Kuvend kandidaturën e tij.

Deputeti Pal Lekaj thotë se procedurat në Kuvend mund të nisen posa të ketë pajtueshmëri të gjerë. Por në rastin e kundërt, Lekaj për KosovaPress thotë se 14 deputetët e AAK-së nuk votojnë asnjë kandidat përveç liderit të tyre.

Kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar takim me liderët e partive politike javën e ardhshme për të gjetur një zgjidhje për presidentin. Që nga 5 nëntori në krye të shtetit si ushtruese e detyrës është Vjosa Osmani./Kosovapress