Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ngjarja e rëndë mbrëmë, ku babai që ishte zyrtar policor dyshohet se me armën zyrtare vrau të bijën dhe më pas edhe veten, ka ndodhur në prezencë të anëtarëve të tjerë të familjes.

“Viktimat janë familjarë në mes vete, janë babë e bijë, të moshës 52 vjeçare, përkatësisht 21 vjeçare, ku njëri nga viktimat është zyrtar policor, i policisë kufitare. Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit e cila dyshohet se është arma zyrtare e policisë. Ngjarja ka ndodhur në ambient familjar në prezencën e anëtarëve të familjes”.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se deri tani nuk dihen rrethanat e këtij rasti, derisa Prokuroria dhe Policia po mbledhin informacione.

“Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar së bashku me njësitë relevante policore dhe zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës. Pas shikimit të vendit të ngjarjes, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Deri më tani nuk dihen rrethanat e rastit, mirëpo Prokuroria dhe Policia janë duke mbledhur informacionin e nevojshëm me qëllim të zbardhjes së rastit dhe rrethanave që kanë çuar deri në ngjarjen tragjike”.