E beson ose jo, është një ndjesi e përbashkët për meshkujt dhe femrat të kenë një lloj depresioni pas seksit, edhe në qoftë se marrëdhënia ka qenë ndër më të mirat, sipas “Health Line”.

Kështu që herën tjetër që do të ndodhë dhe partneri nuk do të jetë aty për bisedën nën jastëk, mendo që nuk je e vetmja që e përjeton këtë lloj ankthi, thotë Lea Lis, një psikiatre e specializuar në seks me një praktikë në Southampton, në New York.

Ka një emër të vetëm për këtë gjendje. Quhet “post-coital tristesse” (PCT). Vjen nga latinishtja “post-coital” dhe frëngjishtja “tristesse”- “trishtim”.

“Shumë njerëz që vuajnë nga “PCT”, pra nga ky lloj trishtimi pas marrëdhënies seksuale, përjetojnë ndjenja të forta dhimbjeje, ankthi, menjëherë pas seksit, deri në dy orë më vonë”,- tha Lea.

Pse ndodh? Situata ka të bëjë me hormonin e prolaktinës.

“Femrat e kanë për të prodhuar qumësht, por e kanë edhe meshkujt. Trupi e prodhon prolaktinën pas orgazmës për të luftuar dopaminën, hormonin përgjegjës për nxitjen seksuale. Por nga ana tjetër, ai mund të shkaktojë edhe gjendjen e melankolisë”,- shpjegoi Lis.

Pse ndihet një njeri i trishtuar pas seksit? Në lidhje me këtë, psikiatria tha:

“Seksi është mbi të gjitha lidhje me dikë, dhe ndërsa dopamina të stimulon të ndihesh në gjendje të shkëlqyer kur jeni duke bërë seks, më pas, realiteti mund ta rrëzojë këtë gjendje.

Mund të ndihesh e frikësuar apo e shqetësuar në lidhje me angazhimet e ndryshme që ke, kështu që mund të duash të rrish vetëm dhe të kërkosh distancë nga partneri.

Seksi gjithashtu të bën të thuash gjëra të nxehta ‘të dua dhe dua të kem fëmijë me ty’, por më vonë, të gjitha këto mund të mos duken ide edhe aq të mira”,- përfundoi ajo.