Pasi siguroi kualifikimin në fazën e 1/16-ave të Europa Leagues si kryesues grupi, Milani do të presë këtë fundjavë Parmën në “San Siro”, ku do të kërkojë suksesin e radhës për të ruajtur dhe pse jo thelluar diferencën me ndjekësit më të afërt.

Megjithatë trajneri Stefano Pioli nuk do të mund të mbështetet te Zlatan Ibrahimoviç as për ndeshjen ndaj emilianëve, pasi sulmuesi 39-vjeçar nuk ia ka dalë të rikuperohet plotësisht nga dëmtimi muskulor i pësuar në transfertën ndaj Napolit.

Edhe gjatë seancës së sotme Ibra është stërvitur veçmas grupit dhe Pioli nuk ka ndërmend ta rrezikojë për ndeshjen me Parmën, aq më tepër që skuadra ka treguar se di të fitojë edhe pa liderin e saj në fushë.

Ndryshe është situata me mesfushorin algjerian Ismael Bennacer, i cili është rikuperuar plotësisht dhe sot ka kryer stërvitjen me ngarkesë të plotë, bashkë me shokët e tjerë të skuadrës.

Bennacer pritet të rikthehet titullar në ndeshjen e të dielës, në krah të Franck Kessie në qendër të mesfushës, ndërsa Ibra do të vijojë punën në qendrën stërvitore për t’u rikuperuar për dy transfertat e ardhshme ndaj Genoas e Sassuolos.