Qyteti i Milanos është nga metropolet europiane më të goditura nga pandemia. Në këtë fazë të dytë të infektimit nga virusi, vazhdon të jetë një nga qytetet italiane me numrin më të lartë të rasteve pozitive e të viktimave nga koronavirusi.

E megjithatë qyteti është ndriçuar sot nga dritat e festave të fundvitit.

Mesazhi i shpresës, i solidaritetit, i jetës, i natyrës, besimit e së ardhmes është përcjellë në 21 bredhat e vitti të ri të instaluar në sheshet e rrugët e këtij qyteti, dhuratë e Fondacionit Braco, e në këtë ditë festive të shënjtëorit mbrojtës të qytetit Shën Ambrosios.

Çdo bredh i ndriçuar vlerëson bukurinë e këtij qyteti, pikat më tërheqses turistike, kreativitetin e banorëve të tij, stilin italian të jetës, modës, sipërmarrjes, duke dhuruar një moment qetësie e gëzimi në këtë vit të jashtëzakonshëm dhimbjeje.

“Bredhi i nndërgjegjes”, “Bredhi i erës”, “Bredhi i Yjeve”, “Bredhi i lojërave”, “Bredhi i dhuratave”, “Bredhi i muzikës”, “Bredhi i valixheve”, “Bredhi i së nesërmes”, “Bredhi i së ardhmes”, e shumë të tjerë janë ndezur këtë mbrëmje në sheshet e rrugët e Milanos që nga ato më kryesoret deri tek periferitë.

“Bredhi i muzikës”, në versionin hi-tech, i përbërë nga 40 kube ndriçuese është një homazh i grupeve më të njohura muzikore që prej 1981 e deri më sot.

“Bredhi i yjeve”, i realizuar nga një strukturë metalike e riciklueshme frymëzohet nga bota e kinemasë e yjet e saj.

“Bredhi i ndërgjegjës” i kujton të gjithëve se njohuria e kultura është një pasuri kolektive që duhet të vij përmes mësimit, ndërsa “Bredhi i erës” i pozicionuar përballë Teatrit të Scalës përmes turbinës eolike ripordhon muzikën e erës interpretuar nga kompozitorët e mëdhenj.

“Bredhi i valixheve” tërheq vëmendjen e opinionit publik tek kriza që po kalon sektori i eventeve e spektakleve për shkak të Covid 19 e është frymëzuar nga protestave e valixheve që punonjësit e këtij sektori organizuan pak javë më parë përballë katedrales së Milanos.

E përballë kësaj katedrale në sheshin kryesor të qytetit është pozicionuar “Bredhi i dhuratave” për të kujtuar rëndësinë që ka dhurimi e solidariteti në këtë vit të vështirë që po mbyllet.

Kjo pemë është përvërë dhe nga 18 bredha të vegjël rreth saj e që do të qëndrojnë aty përgjithmonë për të krijuar në të ardhmen një hapësirë të gjelbër mes qytetit.