Robert Lewandowski beson se vendimi për ta anuluar dhënien e ‘Topit të Artë’ për vitin 2020 u mor shumë herët.

Diçka e tillë i ka mohuar seriozisht sulmuesit të Bayern Munchen që ta rrëmbejë për herë të parë atë çmim, pasi këtë sezon ai ishte favoriti numër një, pas edicionit mbresëlënës me klubin gjerman.

Vendimi për “Topin e Artë” u mor për shkak të COVID-19 dhe paralizimit për disa muaj edhe të futbollit, me arsyetimin se mund të mos bëhen vlerësimet reale për të gjetur fituesin e duhur.

“Dikush vendosi që këtë vit të mos ketë ‘Top të Artë’. Ndoshta ishte vendim i nxituar, sepse çdo trofe tjetër është dhënë. Kështu që shumë lojtarë, trajnerë, gazetarë e dinë se ky ka qenë sezoni më i mirë për mua”, u shpreh Lewa.

“Bëmë atë që bëmë dhe ishte e mrekullueshme. Jam i lumtur që e ka parë çdo kush. Këto çmime janë të mira, fantastike, Por gjithashtu trofetë individual janë edhe trofe ekipor. Ekipi pa sulmues has në vështirësi, ndërsa sulmuesi pa ekip nuk funksionon aspak”, përfundoi sulmuesi polak i Bayern Munchen.