Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme të japë votat e saj në Kuvend për zgjedhjen e presidentit, por paraprakisht duhet të ketë marrëveshje ndërmjet partive politike parlamentare.

Për të arritur një marrëveshje duhet të ulen të gjithë së bashku në një tryezë, ka thënë Arban Abrashi, sekretar në LDK-së.

Ai tha se një marrëveshje e tillë duhet të merret urgjentisht, sepse shteti hynë në një paqartësi kushtetuese dhe ligjore.

“Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është në kontakt të vazhdueshëm edhe me liderët e partive politike dhe besoj e vlerëson vet kur është koha për një tryezë ose kur ka përafrime për zgjedhjen e presidentit. Ajo çka mund të themi si LDK është që ne po synojmë që një marrëveshje të tillë ose çfarëdo vendimi të marrim sa më herët në mënyrë që nëse s’ka vendim, të shpallen zgjedhje t’i organizojnë dhe t’i certifikojnë gjatë mandatit të ushtruesit të presidentit dhe të mos tejkalojmë këtë afat, sepse si shtet hyjmë në një paqartësi edhe kushtetuese edhe ligjore”.

“Kalkulimet tona janë se duhet të ndodh sa më shpejt në janar zgjedhja e presidentit në mënyrë që të mos i afrohemi shkurtit. Prandaj, ne po synojmë që të kemi një tryezë ku të gjendet një zgjidhje. Edhe nëse duhet zgjedhje,atëherë shkojmë pas atyre”, ka thënë Abrashi për EO.