Koalicioni Aleanca dhe Alternativa, përfundimisht kanë arritur që të fusin në rend dite propozim ndryshimin e ligjit për Nënshtetësinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, në zgjedhjet e fundit, kishin premtuar zgjidhjen e një problemi që me dekada ka munduar shumë familje shqiptare, që nga pavarësia e Maqedonisë, çështje kjo, e cila disa herë dhe nga shumë qeveri është thënë se do të zgjidhet, por ende deri më sot nuk është zgjidhur.

Janë më shumë 70 mijë shqiptarë që jetojnë në Maqedonin e Veriut, por që nuk posedojnë nënshtetësi për shkak të ligjit aktual, i cili përmban shumë kushte dhe kërkesa absurde.
Deputeti Elmi Aziri sot përmes një konference për media nga Kuvendi i RVM-së e kumtoi lajmin e shumëpritur për futjen në procedurë parlamentare të propozim ligjit për Nënshtetësinë.
Sipas Elmi Azirit nga Aleanca për Shqiptarët, ky ligj do t’u mundësoj marrjen e Nënshtetësisë të gjithë atyre qytetarëve që e kanë këtë problem, përmes ndryshimeve që i parasheh propozim ligji për Nënshtetësi, të përgaditur nga një grup ekspertësh nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.
Ndryshime sipas tij, kanë të bëjnë me thjeshtësimin e procedurave për marrje të Nënshtetësisë dhe ajo që është më e rëndësishmja, parashihet heqja e mundësisë që sigurimi shtetërorë të jap mendim për aplikuesit, që në të kaluarën ka qenë nyja kryesore, ku edhe janë refuzuar shumë qytetarë me arsyetimin se ,,janë të rrezikshëm për shtetin”.
Aziri gjithashtu, kërkoi mbështetje nga të gjithë grupet parlamentare, pa dallim nëse janë opozitë ose pjesë e shumicës.
Ky është një hap shumë i madh dhe i rëndësishëm i ndërrmarrë nga opozita shqiptare, sepse janë shumë familje jo vetëm shqiptarë por edhe të etniteteve tjera që nuk kanë nënshtetësi.