Tabelat me emrin e ri janë vendosur më së fundmi në fshatin austriak të quajtur më parë “Fucking”, i cili ishte bërë objekt talljesh globale prej vizitorëve anglishtfolës, për të cilët kuptimi ishte “marrëdhënie seksuale”.

Prej vitit të ri emri i tij zyrtar do të jetë ‘Fugging’, teksa rezidentët dhe zyrtarët ishin shprehur të lodhur me sjelljet e pahijshme që nxiste emri (disa prej turistëve ishin parë duke bërë seks pranë tabelave emërtuese).

“Ata besojnë se janë të parët që u ka shkuar mendja për këtë, por besomëni nuk ka asgjë për t’u tallur. Jemi të lodhur me këtë dhe do të bëjmë diçka”, tha një nga rezidentët për rrjetin Austrian Times.

Turistët bënin gjithashtu foto të pahijshme pranë tabelave, dhe madje i kishin vjedhur ato në disa raste.

Tashmë këshilli bashkiak vendosi që prej 1 janarit 2021 fshati rreth 300 km në lindje të Vienës pranë kufirit me Gjermaninë, të ndryshojë emër. “Ju konfirmoj se emri i fshatit do të ndryshojë”, tha kryebashkiaku i Tarsdorf, Andrea Holzner. “Nuk dua të them më shumë. Mjaft me zhurmën e mediave”.

Megjithë humorin që e ka karakterizuar, fshati është i banuar që prej vitit 1070. Historia e lidh atë me një fisnik bavarez të quajtur Focko dhe emri i fshatit është shkruar ‘Fuking’ në një hartë të vitit 1825.

Mediat britanike shkruanin me shaka se ndërkohë, një mal në Gjermani i quajtur “Wank” (tjetër fjalë turpi në anglisht), nuk pritet të ndryshojë emrin.