Protesta dhe marshimi i djeshëm në emër të të ndjerit Klodian Rasha, është shoqëruar edhe me arrestime. Policia bën me dije se janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas, janë proceduar në gjendje të lire 4 të tjerë, si dhe shpallen në kërkim 8 shtetas të tjerë, mes tyre edhe reperi i njohur Stresi.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit,” arrestuan në flagrancë, persona të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” “Kundershtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetesise publike” “ Shkaterrimit të pronës me zjarr” dhe” Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik” shtetasit :

R.P., 21 vjeç, banues në Tiranë, A.K., 29 vjeç, banues në Durrës dhe V.K., 23 vjeç.

Si dhe u proceduan në gjendje të lire 4 shtetas dhe u shpallën në kërkim 8 shtetas.

Këta shtetas ditën e djeshme, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, duke kundërshtuar me dhunë dhe goditur me sende të forta punonjësit e policisë si dhe në vende të ndryshme kanë shkatërruar pronën shtetërore dhe atë private.

Policia njofton se protestuesit kanë qëlluar herë pas herë në drejtim të forcave të Policisë, me sende të forta,lëndë piroteknike duke lënduar 16 punonjës policie në detyrë.

Punonjësit e lënduar janë efektivë të Patrullave të Përgjithshme dhe të forcës së ndërhyrjes së shpejtë. Si dhe kanë thyer me gurë disa automjete të policisë.

Ndërkohë vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar për pjesëmarrjen në këtë tubim dhe për kryerjen e veprimeve te kundraligjshme .