Ka nisur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë grumbullimi i disa të rinjve për protestën e pestë radhazi pas vrasjes së të riut Klodian Rasha në datë 8 dhjetor pranë shtëpisë. Në një moment efektivët iu drejtuan të rinjve që të shpërndahen dhe të vendosin maskën.

Por në këtë moment ka ardhur reagimi i qytetarëve që u janë drejtuar policëve me fjalët. Genc Sejko, i njohur si “njeriu i memeve” pjesë e tubimit që po zhvillohet iu drejtua efektivëve duke i akuzuar “Po provokoni përplasje”.

Ndërsa dëgjohen thirrjet e një gruaje drejtuar policëve “o tradhtar, ju jeni tradhtar, jo shqiptar”. “Duam largimin e Ardi Veliut” tha njëri nga të rinjtë në protestë. Ata thonë se duhet të largohet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe të nisë një reformë në forcat e rendit.

Gjithashtu protestuesit kërkojnë lirimin e personave të arrestuar në tubimet e kaluara.

Forca të policisë u kanë kërkuar protestuesve që të shpërndahen pasi sipas tyre nuk lejohen tubimet në kushtet e pandemisë.

Protestuesit nuk kanë pranuar dhe herë pas here dëgjohen kapsolla. Protestuesit pritet që më pas të marshojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.