“Bashkë me drejtuesit dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Maqedoninë e Veriut, pikërisht këtu në ITSHKSH në Shkup, po ndezim qiririn për nder të festës hebraike Hanukkah, duke dashur me këtë rast të përçojmë mesazhin e dashurisë, mirëkuptimit e tolerancës ndërfetare e ndëretnike në shoqërinë tonë, e cila do të bëhet edhe më e qëndrueshme nëse respektojmë sentimentet dhe traditat e tjetrit”, nënvizoi Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH.

Shkup, 16 dhjetor – Të martën në mbrëmje, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në prani të përfaqësuesve të komuniteteve fetare në Maqedoninë e Veriut, ishte nikoqir i një eventi të posaçëm me rastin e shënimit festës hebreje së sakrificës dhe përkushtimit –Hanukkah.
Kjo ngjarje, që po zgjatë tash pesë ditë, përkon edhe me iniciativën globale të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit i quajtur Projekti “1000 Menorë”, në nderim të hebrenjve në Maqedoni dhe në kujtim të Holokaustit, kurse ITSHKSH në bashkëpunim me Maja Sushën, e cila është lidere e projektit dhe bashkëpunëtore shkencore e Departamentit për Edukimin dhe Mësimin e Holokaustit, edhe sivjet, siç tha Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH, “bashkë me drejtuesit dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Maqedoninë e Veriut, pikërisht këtu në ITSHKSH në Shkup, po ndezim qiririn për nder të festës hebraike Hanukkah, duke dashur me këtë rast të përçojmë mesazhin e dashurisë, mirëkuptimit e tolerancës ndërfetare e ndëretnike në shoqërinë tonë, e cila do të bëhet edhe më e qëndrueshme nëse respektojmë sentimentet dhe traditat e tjetrit”.
Dr. Asani në vazhdim nënvizoi se duke themeluar Departamentin për edukimin dhe mësimin mbi Holokaustin, ITSHKSH në Shkup, ka dashur ta thyej një stereotip të shartuar në të kaluarën gabimisht në vetëdijen e shoqërisë sonë që vlerësonte njerëzit jo mbi bazën e vlerave e virtyteve që kanë , por mbi bazën e përkatësive fetare e etnike të tyre.
Sipas tij, mund të jesh pjesëtar i një religjioni, i një etnie apo gjuhe tjetër, dhe kjo të mos paraqes kurrfarë hendikepi për ta respektuar tjetrin që ka një përkatësi krejt tjetër fetare, etnike e gjuhësore dhe mbi këtë respekt të ndërtosh edhe frymën e mirëbesimit e tolerancës afatgjate.
“Gjetja e kohezionit të brendshëm mirëkuptues në mes të pjesëtarëve të përkatësive të ndryshme fetare e etnike, ka qenë lajtmotivi që na ka nxitur të organizojmë edhe sonte këtë ceremoni të ndezjes së qiriut për nder të festës hebraike Hanukkah, bashkë me vëllezërit tanë të komuniteteve të ndryshme fetare këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Dhe me këtë rast, dua që kjo festë dhe festat tjera që shprehin karakterin dhe veçantësinë e religjioneve tona, të jenë hallka e ADN-së sonë kulturore, sepse vetëm duke i bërë bashkë vlerat dhe duke i refuzuar egoizmat, ne mund të shkruajmë një faqe të re në kronikën e aspiratave tona të përbashkëta qytetëruese”, vuri në dukje Dr. Skender Asani.

Për ta zbërthyer iniciativën globale të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit i quajtur Projekti “1000 Menorë”, foli udhëhqesja e këtij projekti Maja Susha, e cila tha se për nder të kësaj feste zhvillohen aktivitete anë e kënd botës, sidomos në Jerusalem dhe në disa qytete të tjera të Izraelit, në shenjë të viktimave të Holokausit, duke dashur që këto ngjarje të jenë mësim për gjithë njerëzimin që e keqja të mos përsëritet, por të jetë vetëm një kujtim i hidhur.

Në emër të Kishës Ortodokse Maqedonase, foli hirësia e tij Mitropoliti i Kumanoves dhe Osogoves z.Gregori, i cili përmendi sakrificën si elementin më sublim i të gjitha feve, kurse nga BFI me fjalë rasti u paraqit Sekretari i përgjithshëm i saj hoxhë Irsal Jakupi. Ai përshëndeti këtë iniciativë globale, duke potencuar se hebrenjtë në të kaluarunën ishin viktimë e ideologjisë shfarosëse të fashizmit dhe apeloi me këtë rast që të gjitha religjionet të punojnë bashkërisht në luftimin e devijimeve dhe animoziteteve që paraqiten në çdo mjedis. (e)