Katër ditë më parë Interi nuk ia doli të fitojë ndaj ukrainasve të Shakhtar Donetsk dhe u dha lamtumirën kompeticioneve europiane, teksa tani do të duhet t’i përqendrojë të gjithë forcat në kampionat dhe Kupën e Italisë.

Kështu mesditën e sotme zikaltrit e Antonio Contes do të zbresin në fushë në Sardegna për t’u përballur me Cagliarin vendas, në një sfidë ku do të kenë mundësi të lënë pas zhgënjimin e pësuar në Europë.

Trajneri Antonio Conte u shfaq më I qetë në konferencën për shtyp të ditës së djeshme dhe bëri apel që skuadra të punojë me përulje për të arritur objektivat, ndonëse pranoi se transferta sarde do të jetë një mision i vështirë.

Duke qenë se në mesjavë e pret përballja me Napolin në “San Siro”, Conte pritet të lërë pushim disa prej titullarëve ditën e sotme, teksa në fushë nga minuta e parë pritet të luajnë emra si Eriksen, D’Ambrossio, Darmian e Perisic, ndërsa Vidal nuk është rikuperuar ende.

Në orën 15:00 kampionati Italian do të vijë me tre takime mjaft interesante, si Bologna-Roma, Napoli-Sampdoria dhe Atalanta-Fiorentina. Zbresin në fushë kështu skuadra si Roma, Napoli e Atalanta, që këtë sezon do të garojnë fort për një vend në zonën Champions dhe duhet të bëjnë detyrën sot, për të mos mbetur mbrapa.

Në orën 18:00 vëmendja do të jetë në “Marassi”, ku Genoa vendase do të presë kampionin në fuqi, Juventusin. Kuqeblutë e drejtuar nga Rolando Maran nuk po bëjnë aspak mirë këtë sezon, por të hënën morën një barazim shpresëdhënës në transfertën ndaj Fiorentinës dhe sot do të provojnë të ndalin edhe Juventusin.

Nga ana tjetër bardhezinjtë vijnë me moral të lartë pas triumfit 0-3 në “Camp Nou” ndaj Barcelonës dhe do të kërkojnë 3-pikëshin e radhës për të rikuperuar distancën me kreun pas gabimeve në javët e para.

Mbrëmja është e rezervuar për kryesuesit, pasi Milani i Stefano Piolit do të presë në “San Siro” skuadrën e Parmës. Kuqezinjtë po bëjnë shumë mirë këtë sezon në kampionat dhe vijojnë të qëndrojnë në krye me 5 pikë më tepër se Interi ndjekës, ndërsa sot do të kërkojnë suksesin e radhës.

Pa Ibrahimovic e Kjaer që vijojnë të jenë të dëmtuar, Pioli ka rikuperuar portugezin Leao dhe algjerianin Bennacer, të cilët mund të nisen si titullarë ndaj emilianëve të Fabio Liveranit.