Anëtarë e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi, Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione së bashku me përfaqësues nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur kanë vizituar varrezat në Veriun e Mitrovicës në të cilat varreza para disa ditësh pati gërmime për të gjetur mbetjet mortore të të pagjeturve nga lufta e Kosovës.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Kushtrim Gara, tha se varrezat e myslimanëve në Veri të Mitrovicës kanë qenë një nga lokacionet që është trajtuar me prioritetet gjatë këtij viti.

Ai ka apeluar tek banorët e Mitrovicës se nëse haset në mbetje mortore në pjesën kockore dhe që nuk janë varrosur sipas traditës dhe rregullit fetar, të mos lëvizin eshtrat dhe të lajmërojnë institucionet e Republikës së Kosovës.

Ndërsa, Drejtori i Instituti të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka thënë se informatat në varrezat myslimane të veriut kanë qenë gjithmonë pozitive.

Sipas tij pak ka gjasa që puna në këtë lokacion të vazhdojë deri në pranverë, për shkak të kushteve atmosferike si dhe angazhimit tashmë edhe në Serbi dhe lokacionet tjera.

Deputetja Teuta Haxhiu, ka pyetur se fakti që disa herë po punohet në këtë lokacion, a nënkupton se informacionet nga Serbia nuk po jepen të vërteta dhe të sakta.