Nga Arian Galdini

Marin kaqolat, i ngrenë lart, u bëjnë tekstet, skenarët, u përgatisin mizanshenat, u sajojnë histori e ngjarje, heroizma e protagonizma, i plasin çdo ditë nëpër TV e gazeta nga kronikat politike tek kronikat rozë dhe pastaj flasin për prurje dhe elita të reja.

Ka të drejtë Kim Mehmeti kur thotë se edhe lopën po ta nxjerrësh çdo ditë në media, e bën faktor politik.

Të njëjtën teknologji ndjekin për shoqninë, krushqitë, farefisnitë, tarafet dhe klientelat e tyre.

Në të njëjtën kohë, mbyllin ekranet, gazetat, e çdo hapësirë ku mund të gëlojnë njerëz të tjerë, të lirë, me integritet dhe të zotë.

Fama, lajmet, politika, analistët, faqet e gazetave dhe portalet janë të mbushura vetëm me këta “elitsat” e rinj.

Madje edhe monologjet gazetareske thirren në skenë për të promovuar “elitistët e rinj”.

I shohim fillimisht papritmas diku, e pastaj si sëmundje të buta i shohim ngado, derisa na shpalosen nëpër tribuna partie dhe bëhen fytyrat e reja të partive, partitë e reja të krijuara e thurrura me kujdes nga duar e mendje të vjetra.

Projekti i famëzimit gradual derisa veshin mantelin e limfave a thurrjeve të partisë, është kaq i dakordësuar nga të gjitha palët, saqë të bën përshtypje sesi “elitsat” e projektuar djathtas nuk kanë asnjë pengesë majtas dhe anasjelltas, “elitsat” e projektuar majtas nuk kanë asnjë pengesë djathtas.

Psh, po përdor këtu si përvojë vetë shembullin tim personal.

Edhe pse unë kam gati 30 vjet që jam aktivist politik dhe civil, edhe pse kam bërë beteja pafund në këtë vend, asnjëherë nuk jam bërë apo konsideruar lajm vetëm nëse jam kërcënuar, sharë apo linçuar.

Vetëm në 3 momente të jetës sime kam parë një “lejim” mediatik rreth meje.

Herën e parë ka qenë kur unë u shfaqa si Kordinatori i Fushatës së Fatos Nanos për President në vitin 2012. Asokohe u bëra lajm vetëm me sharje e fyerje pafund nga ata që ishin kundërshtarë të Nanos. Pra jo për shkakun tim, u krijua një hapësirë mediatike për mua dhe vetëm negative. E habitshme është se as vetë Fatos Nano nuk tregoi asnjë interes apo dëshirë për të prodhuar ndonjë lajm pozitiv rreth meje. Ndoshta sepse edhe pse vendosa ti dilja në krah gjatë asaj Fushate Presidenciale, edhe vetë Nano e dinte se unë nuk isha pjesë e “elitsave” me porosi e projekt promovimi.

Hera e dytë ishte në vitin 2015, kur krejt padashje unë e pashë veten si protagonistin e një beteje tejet të vështirë përballë Ilir Beqajt, Sistemit Mizor të Shëndetësisë shqiptare, gjithë Qeverisë dhe Mafias Farmaceutike.

Ato 3 muaj nga janari deri në marsin 2015, kanë qenë më të vështirat e jetës sime.

Por edhe pse Sali Berisha çdo të enjte në Kuvend fliste për çështjen Galdini, edhe pse Ministria e Shëndetësisë lëshonte çdo ditë deklarata për çështjen Galdini, edhe pse gazetat shkruanin çdo ditë për çështjen Galdini, edhe pse lajmet hapeshin të gjitha me çështjen Galdini, a e dini që unë nuk jam lejuar të flas në asnje media për 3 muaj përveç një daljeje në Opinion Tv Klan dhe një debati me Milva Ikonomin në Top Show TCH.

Kryesisht lajmet që u prodhuan rreth meje askokohe ishin nën arkitekturën propagandistike të Endri Fugës dhe mafias farmaceutike dhe ishin thellësisht negative, të tejmbushura me sharje, shpifje e marrëzi të paimagjinueshme.

Hera e tretë ka qenë në qershorin e 2016, fill pasi dola në Konferencë për Shtyp si Kryetar i LDE dhe bashkë me Lulzim Bashën deklaruam Koalicionin e PD me partinë që drejtoja unë.

Si me magji të nesërmen, në të gjitha gazetat e portalet e majta por edhe në disa të djathta, ishte bërë kryelajm një shpifje spektakolare sikur Arian Galdini paskërkësh qenë trafikant hashashi e madje ka bërë edhe 6 apo 7 muaj burg.

Zelli i mediave dhe gazetarëve për ta shpërndarë shpifjen ishte mbresëlënës. Po aq mbresëlënëse ishte mungesa e hapësirës së barabartë për përgënjeshtrimin.

Me pak fjalë, 3 herë jam lejuar unë të bëhem lajm kombëtar dhe në të treja rastet vetëm nëpërmjet sharjeve, fyerjeve, shpifjeve e negativitetit më të pamatë.

Ndërkohë që çfarëdo të them e të bëj unë, jashtë rasteve madhore apo rastësive konjukturale, asnjë lajm sado minimal nuk lejohet më prej meje apo rrethe meje.

Po ta kritikojë Lulzim Bashën edhe Qatip Zullapi, menjëherë Mero Baze dhe gjithë mediat e majta, të gjitha TV e do ta pompojnë a thua se ka folur Ivanka Trump.

Po të shkruaj unë artikuj kritikë për Bashën, asnjë media e majtë nuk i publikon. Kurrë.

Po të shkruajë artikuj, e të japë intervista ku shan e kritikon Edi Ramën edhe Marko Dajti apo edhe Nexhmije Hoxha nga përtejvarri, menjëherë do të jetë në çdo portal a media e djathtë do ta publikojë e pompojë a thua se ka folur a shkruar vetë Silvio Berlusconi apo Mateo Salvini.

Ama, artikujt dhe intervistat që jap unë kundër Edi Ramës dhe qeverisjes së majtë, nuk gjejnë kurrë ose rrallë shumë rrallë hapësirë në mediat e djathta.

Pra as mediat e majta e as të djathtat, nuk lejojnë asnjë lajm e asnjë publikim nga njerëz si unë, pra nga njerëz të lirë e jashtë listëporosive nga lart dhe të dakordësuara.

Solla rastin tim personal, por mund tju jap me dhjetra e ndoshta qindra apo edhe mijëra raste njerëzish të mrekullueshëm, të zotë dhe të lirë që ka shoqëria shqiptare.

Ata nuk janë askund, askund në asnjë media.

Ndërsa kaqolat e limfat e partive, janë kudo, ngado e kurdo.

Gjithë strategjia e ustallarëve është që ta bëjnë Shqipërinë që të duket si “tokë e djegur” e që shqiptarët dhe ndërkombëtarët të humbasin çdo busull orientimi e çdo besim se në këtë vend ka njerëz të mirë e të zotë.

Duan që të duken vetëm kaqolat dhe fikserët.

Duan që shqiptarët të mpaken e dorëzohen duke menduar se ky vend nuk bëhet sepse ka vetëm kaqola e fikserë vërdallë.

Duan që ndërkombëtarët dhe perëndimi, të dorëzohen e mos fokusohen në Shqipëri duke krijuar steriotipin e gabuar sikur në këtë vend ka vetëm kaqola dhe fikserë.

Të gjitha këto histori me beteja, përplasje, konflikte, lëvizje, protesta, janë të manifakturuara që të prodhohen protaginizma dhe famë kaqolash dhe fikserësh.

Madje edhe ajo e ashtuquajtura lëvizja studentore e dhjetorit të 2018, edhe ato monologjet gazetareske për thurrjet e reja të ustallarëve të vjetër janë investiturë dhe shpenzim energjie nga shoqëria shqiptare për të vrarë përfundimisht shpresën dhe për të lançuar kaqolat dhe fikserët e rradhës të partive.

Ajo që dua të them me këto rradhë është se ne nuk jemi të varfër vetëm sepse jemi të vjedhur drejtpërdrejt financiarisht.

Neve na vidhet edhe shpresa, na vidhet e ardhmja, na vidhet energjia e gjithë shoqërisë, na vidhen imazhet dhe profilet publike, gjithçka.

Fatkeqësia qëndron tek fakti se këta Udhëheqësit tanë politikë, flasin për Elitat e reja, duke patur parasysh vetëm kaqolat dhe fikserët e tyre.

Këta i shohin “elitsat” e rinj si 200 petritat e partisë komuniste ne 41shin.

Duan të vazhdojnë ti gënjejnë e vjedhin shqiptarët me 200 “elitsat” e rinj.

Nuk lejojnë e as pranojnë as garën, as konkurencën, as përballjen e ndershme, të lirë e të barabartë.

Duan vetëm kaqola dhe fikserë…

Shqipërinë nuk e bëjnë 200 “elitsat” e rinj.

Shqipërinë e bën liria, konkurenca, vlerat dhe guximtarët.

Arian Galdini