Vëmendjen pas protestës për vrasjen 25- vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv Policie, e mori debati virtual mes reperit të njohur Arkimed Lushaj (Stresit) dhe moderatores Einxhel Shkira.

Për ata që nuk e dinë, e gjitha filloi kur reperi bëri një “Instastory”, ku shigjetonte moderatoren, pasi kjo e fundit shprehej me anë të një statusi se pse nuk kishte dalë në protestë.

Einxhel shkruante se nuk iu bashkua protestuesve në respekt të dhimbjes së familjes së 25- vjeçarit, duke dënuar dhunën dhe shkatërrimet e kryera nga protestuesit në kryeqytet. Ndër të tjera, ajo shprehej se nuk del në protestë për të shkatërruar qytetin e saj, por protestën e bën çdo ditë të jetës.

I menjëhershëm ishte reagimi i Stresit pas këtij statusi, i cili ka qenë i përfshirë në këto protesta me mish e shpirt. Në një postim në “InstaStory”, ai u shpreh se e njihte shumë mirë Einxhel Shkirën, duke kaluar në ofendime të rënda.

Einxhel Shkira iu përgjigj po ashtu, teksa publikoi momente gjatë një interviste që po i bënte reperit vite më parë, kur moderonte në “INTV”.

“Ti je shumë gocë e mirë, kam shumë respekt për ty”, dëgjohet Stresi, duke i thënë në një prej videove.

Më tej, moderatorja shkruante se Stresi nuk është Klodiani, ashtu si shprehej në protestë, ndërkohë që shtonte se ka bërë zgjedhjen e gabuar që t’i bëjë “diss”.

E një ditë pas këtij debati virtual, për “iconstyle.al” Einxhel Shkira, sqaroi se se nuk ka dalë kundër protestuesve, vetëm ka shpjeguar arsyet e saj pse nuk ishte e pranishme në shesh bashkë me ta, siç bën zakonisht. Më tej, shtoi se beson fort se çdo situatë do të zgjidhet me mirëkuptim.

“Këto janë situata që ndodhin në gjaknxehtësi e sipër dhe e mira është të ruajmë qetësinë dhe arsyen e shëndetshme për t’i përballuar, sidomos sulmet virtuale që kalojnë në ofeza personale dhe denigrim të imazhit të gjithsecilit.

Unë ndjeva të shprehesha kundrejt asaj që m’u kërkua si person publik dhe dhashë arsyet e mia pse nuk isha e pranishme, por kurrsesi s’dola kundër atyre që e ndjenë të nevojshme të protestonin.

Jetojmë në një botë të lirë ku respektojmë të drejtat dhe liritë e gjithsecilit të shprehen, deri aty ku nuk na prek ne, si në rastin tim. Megjithatë, unë besoj fort në zgjidhjen e çdo situate me mirëkuptim, me dashamirësi dhe qytetari, pasi dhuna, qoftë ajo fizike, apo verbale, s’është në benefit të askujt”, thotë ajo.

Sa i përket debatit me Stresin, moderatorja na thotë se kanë zgjidhur çdo keqkuptim falë telefonatës që ka pasur me babanë e tij, për të cilin shprehet se është: “Zotëri shumë i edukuar dhe i mirëkuptueshëm”.

Ajo shton se babai i reperit i ka kërkuar ndjesë për veprimin e nxituar të të birit, që, sipas Einxhel, ka shqetësuar shumë familjen e saj. Në fund, shprehet se e falenderon për qytetarinë dhe urtësinë e treguar, e cila beson se ka reflektuar dhe në tërheqjen e atyre fjalëve të rënda nga ana e Stresit.

“Unë pata një telefonatë shumë dashamirëse me babain e Stresit, një zotëri shumë i edukuar dhe i mirëkuptueshëm, i cili më kërkoi ndjesë për veprimin, të nxituar apo të pamenduar, që shqetësoi të dyja palët dhe thellësisht familjen time. Një prind e di më mirë se kushdo sa të dhemb kur preket fëmija, sidomos vajza.

E pranova faljen e tij dhe e falenderoj për qytetarinë dhe urtësinë që tregoi, e cila besoj ka reflektuar edhe në tërheqjen e atyre fjalëve të rënda nga ana e Stresit. Pasi me rëndësi është të jemi të gjithë në paqe me veten dhe të tjerët që na rrethojnë. Paqe dhe dashuri!”, është shprehur ajo.

Kujtojmë që reperi i njohur Stresi dhe babai i tij, Sali Lushaj, iu bashkuan protestave për vrasjen e 25- vjeçarit, Klodian Rasha, nga efektivi i policisë.

Në një video të publikuar në Instagram, Sali Lushaj shprehet se efektivi nuk përfaqëson Policinë e Shtetit, por diktaturën, duke theksuar se “duhet të jetë djali i ndonjë krimineli, që vendosi dorë mbi një 25-vjeçar”.

“Do mblidhemi të protestojmë në mënyrë paqësore për vrasjen e një njeriu të pafajshëm, nga një dorë kriminale, një polici që nuk përfaqëson policinë e Shtetit por diktaturën. Duhet të jetë djali i ndonjë krimineli që ka vendosur dorë mbi një 25-vjeçar por haram qoftë rroba që ka mbajtur vesh një kriminel!”- u shpreh ai.

Klodian Rasha u vra në orët e para të mëngjesit të së martës nga një efektiv policie, pranë banesës së tij në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë.

RRËFIMI I SHKIRËS ME SHAKA APO SERIOZISHT? TANI TËRHIQEM NGA MESHKUJT POLICË, SHOH SHUMË SIMPATIKË NËPËR QYTET

Ndërkohë Einxhel Shkira përflitet për herë të dytë brenda disa ditëve, pas largimit të papritur nga emisioni “Binjakët show” me vëllezërit, Romeo dhe Donald Veshaj.

Ajo nuk foli për arsyen e largimit edhe këtë herë, ndërkohë që njihet për natyrën e pakompromis, pasi është larguar kështu nga formate të tjera. Në lidhje me inspirimin për të qenë vajzë televizioni, së fundmi ajo ka zbuluar kush ka qenë idhulli i saj në fëmijëri.

Einxhel, përmes një shkrimi në “Instastory”, treguar se frymëzimi i saj ka qenë Ambra Angolini, një 14-vjeçare që moderonte emisionin e njohur në Itali, 25 vite më parë, “Non e la Rai”. Ambra në atë kohë u shndërrua në një ikonë për të rinjtë dhe u dha zemër shumë të tjerëve të ndiqnin ëndrrat e tyre.

Einxhel shkruan se po të mos kishte parë për Ambran, nuk e di as vetë si do ishte jeta e saj.

“Ambra, idhulli im i parë dhe i fundit në ekran. Kur e pashë për herë të parë isha shumë e vogël, por e kuptova se kush dua të jem dhe çfarë doja të bëhesha kur të rritesha. Që nga ajo ditë doja të isha si Ambra, jo të imitoja atë, por të inspiroja njerëz dhe vajza të tjera të ëndërrojnë, që ashtu si unë, një njeri i vetëm, bëri që sot të jem këtu ku jam, të bëj këtë që bëj e të jem kjo që jam”, ka shkruar Einxhel ndër të tjera.

Prezantuesja e identifikuar edhe për emisionet sportive, i shpreh gjithmonë hapur mendimet e saj. Pak kohë më parë ajo deklaroi se pas “fiksimit” të saj për futbollistët, tani tërhiqet më tepër nga meshkujt policë.

Në një intervistë me “Shqipëria live”, e pyetur se cilat profesione kanë meshkujt më simpatikë, tha: “Ua, po ke plot djem simpatikë mo, në botën e muzikës ka simpatikë, në bankë ke, policë ka simpatikë”.

Cili sektor të rezulton me më simpatikët?, ishte pyetja e radhës, së cilës iu përgjigj ndoshta me shaka, por ndoshta dhe shumë seriozisht: “Së fundmi kam parë shumë policë simpatikë nëpër qytet, djem të rinj dhe më pëlqen ky trend që kemi ikur pak nga ajo gjenerata e xhaxhi policit. Mua më pëlqen sporti, më pëlqejnë njerëzit sportivë, si unë e çdo femër tjetër. Të rralla janë femrat që pëlqejnë meshkujt me bark të madh, por që një mashkull me fizik të mirë është i pëlqyeshëm për çdo femër”.

“E mendova që nuk duhet të kishim ndenjur ballë për ballë se mos bënim masë bashkë”, iu drejtua moderatorit në studio, ndërsa Erjona Rusi i tha: “Shiko, më duket se ti bën masë me futbollistët, jo me moderatorët”.

Einxhel iu përgjigj: “Unë me futbollistët jo, por nëse janë futbollistët ata që shkojnë pas vajzave të bukura.. Po ta llogarisësh raportin, besoj një vajzë të bukur e ngacmon një ekip i tërë, kurse një vajzë nuk besoj se ngacmon gjithë ekipin.”