Frika nga virusi korona ka bërë që të konsumohet numër rekord i antibiotikëve. Azithromycin i njohur si Sumamed dhe Cefixime i njohur si Pancef janë dy barërat që kanë dyfishuar recetat prej kur se shpërtheu pandemia në vend. Sipas Fondit Shëndetësor këto janë vetëm shifrat e regjistruara nga recetat elektronike të lëshuara prej mjekëve amë. Ndërkaq, sipas tyre, numri real i konsumit të antibiotikëve është shumë më i lartë, ngaqë shteti nuk ka kontroll ndaj shitjes private të tyre.

– Advertisment –

Në periudhën kohore mars-tetor, rreth 118.000 receta janë lëshuar nëpër barnatore në kuadër të Fondit për Azithromycinën dhe rreth 37.000 receta për barna nga prodhues të tjerë shtesë, të cilat përmbajnë të njëjtin përbërës aktiv dhe konsiderohen si barna gjenerike paralele. Në barnatore gjatë periudhës mars-tetor janë lëshuar edhe rreth 61.000 receta në kuadër të Fondit për barin Cefixime -njoftojnë nga Fond i Sigurimit Shëndetësor.

Për të njëjtën periudhë në 2019, rreth 74.000 receta janë lëshuar për barin SUMAMED dhe rreth 65.000 receta janë lëshuar në kuadër të Fondit për barin PANCEF, kumtojnë nga Fondi Shëndetësor.
Nga Ministria e Shëndetësisë siguruam të dhënat për periudhë më të gjatë të sistemit “Termini im”, që në janar-nëntor të vitit të kaluar dhe për periudhën e njëjtë të këtij viti, shifrat janë shqetësuese.

Top 5 antibiotikët e konsumuar në vend:
Amoxicillin – vjet 451,893 sivjet 380,264
Azithromycin – vjet 166,954 sivjet 277,375
Ciprofloxacin – vjet 149,921 sivjet 146,880
Amoxicillin – vjet 132,912 sivjet 105,321
Cefixime – vjet 88,431 sivjet 113,135

Gjatë muajit janar janë realizuar mbi 19 mijë receta të tabletave 500mg Sumamed, ndërkaq gjatë muajit tetor kjo shifër ka arritur mbi 42 mijë receta. Gjatë janarit janë realizuar mbi 10 mijë receta të tabletave 400mg Pancef, ndërkaq gjatë tetorit kjo shifër ka arritur mbi 13 mijë receta të realizuara – thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Farmacistët shprehin shqetësimin se këto ilaçe të forta u përdorën pa nevojë, nga pakujdesia e mjekëve amë por edhe nga paniku i pacientëve. Imunologët thonë se ka keqpërdorime të shumta përmes udhëzimeve të ashtuquajtura “recetat e kuqe” që blihen privatisht dhe pa asnjë kontroll.

Dhënia e antibiotikëve duhet patjetër të rregullohet në mënyrë të prerë dhe të jepet vetëm në rastet e nevojshme. Duhet të ketë kontroll më të rreptë në dhënien e antibiotikëve sepse numrat që dëgjuam janë shqetësuese, aq sasi të këtyre barërave nuk mund të jenë mirë për shëndetin. Duhet të zvogëlohen apo të ndryshojë metoda e dhënies së antibiotikëve – deklaroi Aleksandar Petliçkovski, Imunulog.

Përveç barërave tipike anti-kovid, popullsia jonë ka prirje të konsumojë edhe antibiotikë të ndryshëm. Shifrat janë në rritje nga viti në vit, ndonëse studimet tregojnë që pirja e shpeshtë e antibiotikëve krijon një varësi dhe e humbet efikasitetin kur organizmi ka nevojë për këto barëra. Sipas raportit të Agjencisë së barërave sivjet janë konsumuar mbi 1,4 milion pako antibiotikësh në vendin tonë.

Adnan Qaili