József Szájer, i cili njoftoi dorëheqjen e tij si eurodeputet të dielën, ka pranuar të jetë politikani në qendër të skandalit të festës seksuale në Bruksel, që ndodhi të premten e kaluar në mbrëmje.

Një festë me drogë, alkool dhe seks u organizua në një lokal në Bruksel, ku ishte i pranishëm edhe eurodeputeti Jozsef Szajer, besnik i kryeministrit Viktor Orban, i cili konfirmoi praninë e tij.

Natën midis 27 dhe 28 Nëntorit, një festë e ndaluar, e bazuar në drogë, alkool dhe seks u organizua në Bruksel, pavarësisht bllokimit. Kjo u raportua nga policia belge, duke deklaruar se festa, e cila u zhvillua në një lokal, përfundoi në orgji. Mes pjesëmarrësve, disa prej tyre diplomatë dhe zyrtarë të Komisionit të BE-së, është edhe eurodeputeti Jozsef Szajer, një nga themeluesit e partisë së kryeministrit hungarez Viktor Orban. Mediat belge raportonin se të gjithë pjesëmarrësin në festë ishin “të zhveshur” dhe mes tyre kishte disa diplomatë evropianë, të cilët nuk janë identifikuar.


Ishte vetë Szajer ai që doli dhe konfirmoi praninë e tij, pasi zërat për përfshirjen e tij filluan të qarkullonin në mediat hungareze. “Unë isha i pranishëm”, pranoi ai, duke nënvizuar se nuk e përdori drogën e gjetur në dhomë: “Policia pretendon të ketë gjetur një pilulë ekstazi, por nuk është e imja”.

Deputeti shtoi se i vinte keq që kishte shkelur kufizimet anti-Covid”, para se t’i kërkonte falje kolegëve, votuesve dhe familjes.

Policia bastisi lokalet, të vendosura në qendër të kryeqytetit, duke arrestuar 25 persona. Sipas mediave belge, njëri nga të pranishmit u arratis. Do të ishte pikërisht eurodeputeti hungarez, i cili më vonë do të përfitonte nga imuniteti i tij.

Szájer është një anëtar i vjetër i Fidesz, i cili ndihmoi në hartimin e kushtetutës së vendit. Ai shërbeu si kreu i delegacionit Fidesz në Parlamentin Evropian dhe anëtar i komitetit të punëve të jashtme të asamblesë.

Qeveria hungareze ka kundërshtuar të drejtat e LGBTQI javën e kaluar, ku së bashku me Poloninë, shprehën kundërshtim të fortë ndaj një plani të barazisë gjinore për politikën e jashtme të BE-së që kërkon të forcojë të drejtat e grave, vajzave dhe LGBTQI në të gjithë botën duke “sfiduar normat gjinore dhe stereotipet”.

Global