LRE – Lëvizja e Re po ndjek me shqetësim e vëmendje të madhe, zhvillimet e fundit politike në vend.

Ne besojmë se asnjë arsye e shkas nuk e meriton këtë “marrëzi afrikane” në Shqipëri.

Por duket qartë se “Klubi i Plaçkaxhinjve” në Shqipëri, trioja e partive që kanë 30 vite që e sundojnë dhe bastisin vendin tonë, PS – PD – LSI, pasi e shkatërruan Kinostudion Shqipëria Sot ku xhiroheshin filma me luftë të realizmit socialist, e kanë kthyer me marrëveshje e konsensus negativ, të gjithë Shqipërinë në një sheshxhirimi për filma të “realizmit afrikan”.

LRE – Lëvizja e Re beson se të treja Partitë e Klubit të Plaçkaxhinjve, ngase nuk e ri-instalojnë dot më një sistem autokratik apo totalitarist, janë dakordësuar e bashkëveprojnë për instalimin e këtij Sistemi Skuthokratik ku dergjet sot Shqipëria.

Sistemi Skuthokratik ka edhe autoritarizëm edhe frikë edhe hajni edhe marrëveshje me konsensus negativ mes partive në Qeveri dhe atyre në Opozitë edhe qëllim të pastër korruptiv, plaçkëbërës dhe shtypës e shpërfillës ndaj qytetarëve.

Skuthokratët e Klubit të Plaçkaxhinjve PS – PD – LSI, kanë që prej vitit 2017, që e zhysin Shqipërinë në kriza ciklike afrikane.

E vërteta e madhe që duhet tua themi shqiptarëve, në fakt e kemi detyrim që tua themi shqiptarëve, është se çdo akt dhune e çdo cikël krize e konfliktualiteti është një film i madh i realizmit skuthokratik nën produksionin dhe regjinë e Klubit të Plaçkaxhinjve PS – PD – LSI.

Prej vitesh, ata po krijojnë e sajojnë Casus Belli për luftën e radhës të realizmit skuthokratik, sepse kanë frikë Drejtësinë, kanë frikë Perëndimin dhe kanë frikë zgjimin e qytetarëve shqiptarë.

Me luftra e konflikte të realizmit skuthokratik, Ata, Klubi i Plaçkaxhinjve PS – PD – LSI, përpiqen të bllokojnë Reformën në Drejtësi, ose provojnë ta vonojnë apo negociojnë produktin e Reformës në Drejtësi.

Me luftra e konflikte të realizmit skuthokratik, Ata, Klubi i Plaçkaxhinjve PS – PD – LSI, përpiqen të mbajnë peng e të taposur energjinë tonë pozitive kombëtare që të mbysin e pamundësojnë Zgjimin e Madh të qytetarëve shqiptarë.

Kur në rrugët e Shqipërisë zbresin konfliktet e zjarri i orkestruar dhe dakordësuar i Klubit të Plaçkaxhinjve, fuqia u jepet hordhive dhe vuan qytetaria.

Ky filmi i ditëve të fundit, i realizmit skuthokratik që po vënë në skenë nën emërtimin si “revolta e adoleshentëve”, bëhet me marrëveshje nga Klubi i Plaçkaxhinjve PS – PD – LSI.

Trysnia e SHBA dhe BE për plotësimin dhe bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese brenda muajit dhjetor, i ka detyruar Skuthokratët e Klubit të Plaçkaxhinjve PS – PD – LSI, që të nxitojnë për filmin e radhës me destabilizim, zjarr e flakë.

Janë bashkë. Gjithçka që po ndodh, po e bëjnë ata vetë bashkë, të dakordësuar.

Filmi i realizmit skuthokratik, “Revolta e Adoleshentëve”, bëhet qartazi kundër Reformës në Drejtësi dhe kundër kërkesës së SHBA dhe BE për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, brenda dhjetorit.

Rregjimi Skuthokratik i Klubit të Plaçkaxhinjve, duan me çdo kusht që ta shesin Ramën në Perëndim, si viktimën e dhunës, si liderin nën agresion, si proreformatorin të cilin e pengojnë forcat regresive.

Rregjimi Skuthokratik PS – PD – LSI, luajnë polici i mirë – polici i keq.

Edi Ramës ata vetë me dakordësim i kanë caktuar rolin e policit të mirë.

Qëllimi i Rregjimit Skuthokratik PS – PD – LSI, është që Edi Rama të bëhet figurë e besueshme për Perëndimin, e kësisoj të jetë me Perëndimin edhe Negociatori i Termave të Paqes dhe Stabilitetit në vend, për llogari të Klubit të Plaçkaxhinjve.

LRE – Lëvizja e Re beson se kësaj loje të ndytë të Klubit të Plaçkaxhinjve i duhet dhënë fund.

Ne si LRE besojmë se zgjidhja optimale do të ishte dorëheqja e Edi Ramës.

Dorëheqja e Edi Ramës, largimi i Edi Ramës prej Kryeministrisë, do të ishte edhe preludi i përmbylljes me sukses të Reformës në Drejtësi dhe fundi i lojës me luftra të realizmit skuthokratik të Klubit të Plaçkaxhinjve.

LRE – Lëvizja e Re