E kanë cilësuar si “Tarzani” i AAK-së dhe si një rival i fortë i Vladimir Putin, për sa i përket fizikut dhe sporteve ekstreme në temperatura minus zero gradë.

Bëhet fjalë për Bekë Berishën, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Së fundmi ai ka postuar disa foto në rrjetet sociale teksa zhytet në akull në liqenin pranë Bjeshkëve të Moknës në Istog.

Pak ditë më parë ai ka postuar edhe një video teksa zhytet në ujë edhe pse rreth e rrotull vendi është i rrethuar me dëborë. Deputeti Berisha njihet prej vitesh për këtë pasion të veçantë për të bërë sporte ekstreme në natyrë, shumicën e të cilave i realizon gjatë periudhës më të ftohtë të vitit. Ai është shumë i dhënë pas sporteve që kanë rrezikshmëri, kjo edhe për faktin që e ka treguar trimërinë e tij edhe gjatë kohës së luftës së Kosovës.

Edhe pse çdo ditë është i angazhuar me jetën politike, me takime, komisione, deklarata e intervista pune; përsëri ai e gjen kohën për pak aktivitet fizik jo vetëm në natyrë por edhe në palestër. Berisha është i martuar me bashkëshorten Besa dhe kanë dy fëmijë, një vajzë e një djalë.

Deputeti Bekë Berisha foli sot në “Wake Up” për të folur për këtë pasion të tij. “Ka 10 vite që bashkë me shokët e mi kemi krijuar ‘extreme sports association’. Kemi bërë ngjitje në të gjitha majat e Kosovës dhe Shqipërisë

I kam bërë shumë natyrshëm gjatë ecjeve dhe aktiviteteve të mia. Mora një kazmë dhe hapa liqenin, u hodh njëherë. Problemi nuk është kur je në ujë, sepse temperatura aty është 7 gradë, por problemi është me u ngroh menjëherë, sepse mund të vdesësh nga hipotermia. Duhet të kesh dikë që të ndihmon.

Duhet të arrish një moshë pjekurie. Nuk bëhet eksperimente me 18-vjeçarë, sepse rrezikojnë.

Më shumë e bëj për kënaqësi dhe adrenalina rritet kur bën diçka ndryshe. Frikë nuk kam pasur, por kënaqësi po”, u shpreh ai.