Dy ndeshje radhazi në pankinë duket se i bënë mirë mbrojtësit maroken Achraf Hakimi, që u rikthye titullar mbrëmjen e djeshme dhe arriti të shënojë dy herë duke vulosur suksesin e tretë radhazi në kampionat për Interin.

Dopieta e 22-vjeçarit vjen vetëm 3 ditë pas asistit për Lukakun në Champions ndaj Borussia Monchengladbach, ndërsa trajneri Conte e pranon se golat do ta ndihmojnë jo pak për t’i rritur vetëbesimin.

“Hakimi ka cilësi shumë të mira dhe një marzh të jashtëzakonshëm përmirësimi, ndaj kur shënon e jep asiste, i rritet edhe më shumë vetëbesimi. Ai ka ende shumë punë për të bërë, sidomos në aspektin mbrojtës, por mendoj se është në klubin e duhur dhe me trajnerin e duhur, që të përmirësohet. Ka të gjitha mundësitë për t’u bërë më i miri në botë në rolin e tij”, u shpreh Conte pas ndeshjes.

Vetë Hakimi, i cili i dedikoi golin e parë futbollistit maroken Muhamed Aberhoun, i ndarë nga jeta në moshën 31-vjeçare pas një kanceri në stomak, pranoi se ka ende shumë punë për të bërë dhe se Conte po e ndihmon shumë.

“Fliten e thuhen shumë gjëra në media, por unë jam gjithmonë i njëjti dhe vijoj të punoj shumë për t’u përmirësuar. Conte po më ndihmon shumë dhe e di që mund të bëj shumë më mirë në fazën mbrojtëse. Arma ime më e fortë është shpejtësia në fushë të hapur, por këtu skuadrat luajnë shumë ngjeshur dhe jo gjithmonë kam mundësi të nisem”, u shpreh marokeni.