Dibra do të përfitojë dy milionë denarë nga Buxheti i vitit 2021 për ndërtimin e rrugës në fshatin Kosovrast i Poshtëm. Komisioni për financa dhe buxhet miratoi amendamentin e ndryshuar të një grupi deputetësh të BDI-së, me të cilin kërkoheshin katër milionë denarë për këtë qëllim, por shuma u përgjysmua me propozim të zëv/ministrit të financave.

“Këto mjete do tëjenë një mbështetje e konsiderueshme për ndërtimin e rrugës lokale në fshatin Kosovrast i Poshtëm, në bashkëpunim dhe kofinancim me Komunën e Dibrës. Sipas projektit gjatësia e rrugicave është 874 metra, për tre segmente. Kjo iniciativë do t’u mundësojë banorëve të zonës lëvizje të lirë, me komode dhe të sigurtë”, u shpreh deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli.

Amendamenti u përkrah edhe nga deputetët e opozitës, madje opozita shqiptare tregoi gadsishmëri që të përkrah amendamentin, të pandyshuar.

“Unë në emër të grupit Aleanca-Alternativa, i propozojë që të mos jep pajtueshmëri por të shkon në votim version i parë prej 4 milionë denarë dhe ne do e përkrahim versionin e parë të amendamentit me katër milionë denarë. Nëse propozuesit e BDI-së e votojnë ai amendament kalon original ashtu siç është propozuar”, theksoi Halil Snopçe, deputet i ASh-së.

Ndryshe, Komisioni Parlamentar për Financa dhe Buxhet vazhdon seancën në të cilën po zhvillohet debati për amandamentet e Buxhetit për vitin 2021, i cili zgjat dhjetë ditë, e ku do të shqyrtohen 528 amendamente prej të cilave 390-të janë propozuar nga VMRO-DPMNE.