Sofja nuk jep asnjë sinjal për ta tërhequr veton ndonëse sot mbahet takimi i ministrave të jashtëm evropian, në të cilën parimisht duhej të formulohej korniza negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Para fillimit të takimit, ministri gjerman për Evropën, Rot tha se një shtet i vetëm anëtar për çështje dyplëshe po e pengon zgjerimin e BE-së dhe kjo rrezikon sigurinë.

Gjermania si presidente e BE-së, do bëjë çmos të gjendet kompromis dhe të mbahet konferenca e parë ndër-qeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Çdo gjë tjetër do të ishte gabim politik, me çmimin e stabilitetit dhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor dhe kjo do ta rrezikojë rëndë sigurinë e Evropës. Për këtë duhet të jenë të vetëdijshëm të gjithë -deklaroi Mihael Rot, Ministri i Gjermanisë për Evropën.

Derisa vendimin përfundimtar për fillim ose jo të negociatave do ta marrin shefat e shteteve evropiane më 10 dhe 11 dhjetor, Këshilli Evropian dhe Komisioni Evropian konfirmojnë për Alsat se nuk heqin dorë nga përpjekjet. Brukseli gjithsesi nuk komentoi Udhëzuesin e përbashkët për zbatimin e marrëveshjes së 2017-tës, ndonëse kryeministri, Zaev kishte thënë se BE do të bëhej garantues i së njëjtës.

Këshilli po punon në konkluzione për zgjerimin për këtë vit si dhe në kornizën negociuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Një zgjidhje e çështjeve dypalëshe do të ishte kyçe – u shpreh Maria Ruiz Nievas, Zëdhënëse e Këshillit Evropian.

I inkurajojmë të dy palët t’i vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes për çështjet e hapura dyplaëshe. Mbetemi me shpresë se së shpejti do të arrihet marrëveshje për kornizën negociuese, që të mbahet sa më parë që është e mundur konferenca e parë ndër-qeveritare. Komisioneri është në kontakt me Presidencën dhe dy palët, duke mbështetur gjetjen e zgjidhjes – tha Ana Pisonero, Zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Qeveria mbetet në qëndrimin se bisedimet për kompromis do të vazhdojnë.

Vërtetë propozuam të gjitha mundësitë e mundshme për ta tejkaluar këtë pengesë, përfshirë këtu propozimin e fundit për një udhërrëfyes për të cilin ende nuk kemi marrë përgjigje, por mendoj që hapja e debatit gjatë këtyre 100 ditëve, intensifikimi i këtij dialogu ndoshta nuk ka dhënë rezultate për momentin, por ka krijuar një bazë të cilën duhet ta mbindërtojmë në periudhën që vjen -deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

“Për momentin punojmë në programimin për IPA 3. Në 5 vitet e ardhshme patjetër të shfrytëzohen të gjitha resurset nga IPA 2 dhe ky ëshë momenti i fundit që ta vëmë çështjen nën kontroll, të organizohemi që vitin e ardhshëm të mos kemi humbje të tjera të parave evropiane. Periudhën në vijim duhet të fokusohemi në shtëpi, duke mos i ngritur duart nga bisedat për zgjidhjen e problemit”, theksoi Nikolla Dimitrov, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

Shkupi e Sofja sot shënojnë 8 dhjetorin, ditën e Shën Klimentit të Ohrit, themeluesin e alfabetit cirilik.