Ish-kryeministri Sali Berisha kundërshtoi propozimin e kryeministrit Edi Rama për ministër të Brendshëm. Sipas ish-liderit të PD, emri i Bledi Çuçit nuk është i përshtatshëm për shkak të lidhjes që ka me ish-gruan e Edi Ramës.

“Edvini e bën të familjes Ministrinë e Brendshme! Me emërimin ministër të Brendshëm të burrit të gruas së tretë të tij, Edvin Kristaq Xhelati për herë të parë në historine 108 vjeçare të shtetit shqiptar shndërron këtë ministri dhe organet e varura prej saj në ministri dhe institucione private familjare. Duke emëruar në drejtimin e Ministrisë së Brendshme Bledar Çuçin, një njeri të familjes së tij të vogël dhe konkretisht burrin e ish-gruas të tretë të tij, zonjës Delilna Fico, me të cilën ruan të gjitha marrëdhëniet e ngushta familjare, përveç atyre martesore, Edvini kryen një akt shkatërrimtar e të pashembullt, të cilin nuk ia ka lejuar vetes asnjë shef i ekzekutivit shqiptar nga viti 1912 gjer sot kryeministër, Mbret, apo diktator qoftë ai”, u shpreh Berisha në “Facebook”.

Ish-kryeministri bëri thirrje që qytetarët të ngrihen kundër Edi Ramës, për ta rrëzuar.

“Ky emërim unik në historinë e Shqipërisë është një kushtrim për çdo shqiptar të ngrihet kundër këtij regjimi të kalbur nepotik që nuk njeh ligj, normë, as etikë shteti, për të përmbysur sa më parë dhe me çdo kusht Edvin Kristaq Xhelatin dhe narkoshtetin e tij.”