Tashmë gjithçka është zyrtare.

Mario Balotelli riniset nga Serie B. Ish-sulmuesi i Interit dhe Milanit ka firmosur për Monzan pasi u bind nga oferta që i bëri ish-drejtuesi i kuqezinjëve Adriano Galliani me të cilin ka bashkëpunuar te Milani.

“Mirë se vjen Mario“, lexohet në postimin e Monza në Twitter. 30-vjeçari qëndron pushim prej muajit korrik, periudhë kur i dha fund aventurës me ekipin e Brescia.

Balotelli ka firmosur një vit me klubin që pretendon ngjitjen në Serie A.

Nëse objektivi arrihet, sulmuesi i famshëm ka opsionin për të vijuar deri në verën e vitit 2022 me Monza.

Përveç Balotellit Monza ka në skuadër edhe një tjetër emër të madh, gjithashtu ish-lojtar i Milanit Kevin Prince Boateng.

Edhe në këtë aventurë të re tashmë 30-vjeçar Balotelli do të mbajë veshur fanellën me numër 45, siç ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij.