Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, e ka cilësuar qesharake idenë e avokatit të Prokurorisë, Allan Tiger, që gjykimi për ish-krerët e UÇK-së të fillojë në muajin shtator, tre muaj pasi prokuroria të ketë dorëzuar dosjen.

“Nocioni që gjyqi mund të fillojë tre muaj pasi prokuroria ka dorëzuar dosjen e saj është qesharake. Në fakt nuk është vetëm qesharake, por zbulon përpjekjet e prokurorisë për të pasë një gjyq të padrejtë. Është e padiskutueshme që ne nuk do ta lejojmë që do të ndodhë. Nuk është çështje negociatash ose kuvendimesh, por është e drejta minimale bazë për të pasë një gjyq të drejtë. Gjyqi duhet të fillojë pasi mbrojtja të ketë bërë përgatitjet e saj. Nuk është vlerësim, është një e drejtë bazë minimale”.

“Duke pasë parasysh përvojën e gjykatave ndërkombëtare, unë them që prokuroria nuk mund ta ketë me të vërtetë këtë që thotë sot. Ne ju sugjerojmë që të hidhni poshtë atë që tha Allan Tiger dhe se me ndërgjegje dhe në interes të drejtësisë duhet që ta ndani detyrën e prokurorisë nga fillimi i gjyqit dhe më pas t’i lejoni mbrojtjes që të përgatitet bazuar në natyrën, gamën dhe nevojën e hetimeve”.

Avokati i Veselit ka përmendur gjykimet e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt në Hagë si shembuj që përgatitjet për mbrojtje në raste të tilla marrin shumë kohë.