Ka kaluar shumë kohë, këta njerëz meritojnë që së paku të dihet e vërteta, por përsëri po them se mos vallë përsëri po i ngjanë punës së Jusuf Gërvallës kur thotë: Mos më tregoni, nëse janë shqiptarë! Ka kaluar shumë kohë dhe unë jam shumë skeptik se a mund të zbardhet e vërteta sepse sigurimi sekret serb ka qenë goxha i përgatitur, goxha në rrjedha të zhvillimeve. Kështu deklaroi kryetari i BDI Ali Ahmeti në Syri TV përballë gazetarit Çim Peka, informon GAZETA.MK

“Unë kam dyshimet e mia edhe pse unë jam kundër teorive konspirative por do të theksojë dy fakte: Gjatë vitit 1981 vetëm për të arsyetuar reprezaljet që ushtroi Serbia mbi ne studentët përdori rastin e Martinoviqit, ku ai masakroi vetveten që lëvizjen studentore ta mbysin me dhunë e ta gjakosin. Gjithashtu gjatë luftës së Kosovës forcat serbe, njësitë sekrete vranë disa të rinj serb në Pejë vetëm e vetëm për të arsyetuar masakra, d.m.th serbet janë të njohur për veprime të tilla dhe unë kam dyshime se mund Serbia të ketë përdorë inteligjencën e saj për të futur në vëllavrasje shqiptarët sepse këta njerëz nuk kanë qenë individë që meritojnë që një shqiptar t’i ekzekutojë” ka thënë Ahmeti.