Britania u bë i pari vend që nisi vaksinimin masiv të popullsisë kundër Covid-19. Lajmi u prit me entuziazëm, aq sa ministri i Shëndetësisë qau live në TV.

Por një ditë më pas, një lajm tjetër dominoi titujt e medieve. Sipas BBC, personat që kanë reagime të forta alergjike, nuk duhet të marrin vaksinën e koronavirusit.

Kjo për shkak se dy punonjës të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar përjetuan alergji pasi morën vaksinën dje. Tani dy pacientët janë mirë, pasi kanë marrë mjekimet kundër alergjisë. Sipas BBC, punonjësit e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar kanë kaluar një reaksion anafilaktoid- më i butë se anafilaksiz.

Por lajmi ka shkaktuar shqetësim, sidomos në kohën kur ka skepticizëm ndaj vaksinës.

Shqetësimi më i madh lidhet me faktin se përse nuk ka pasur paralajmërime pas testimeve se vaksina mund të shkaktojë alergji.

Sipas BBC, megjithëse reagime të tilla janë të pazakonta, ato mund të ndodhin me vaksina të tjera, siç është ajo e përvitshme kundër gripit.

BBC raporton se reagime të tilla nuk janë pikasur gjatë testimeve klinike, edhe pse njerëzit që kanë reaksione alergjike nuk janë rekrutuar si vullnetarë.

Autoritetet kanë paralajmëruar se vaksinimi do të vazhdojë dhe do të shtrihet më tej. Britania parashikon që të vaksinojë miliona njerëz brenda një kohe të shkurtër.