Gjykata Supreme e Kosovës e ka vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës së Apelit ndaj Adem Grabovcit, Ilhami Gashi dhe Sedat Gashi për rastin e njohur si “Pronto”.

Supremja këtë e bëri të ditur me anë të një njoftimi të lëshuar për media, në të cilin thuhet se refuzohen si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, transmeton Klan Kosova.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale kundër të akuzuarve A.G., I.G. dhe S.G., për shkak të veprave penale shkelja e statusit të barabartë të shtetaseve dhe banorëve të Republikës së Kosovës, duke vendosur lidhur me ankesën Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të të dënuarve, të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, pas mbajtjes së seancës publike, më 29 shtator 2020, me aktgjykimin PA.II.nr.3/2020, refuzoi si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, A.G., I.G. dhe S.G., ndërsa e vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës së Apelit”, thuhet në komunikatë.