Intervista e kryeministrit Zoran Zaev për BG NEWS ka shkaktuar reagime të ashpra në opinion. Deputeti i VMRO-DPMNE-së Bojan Stojanovski në emisionin “Rruga drejt…”, u shpreh se kjo që po ndodhë tani është alarmuar me kohë nga partia e tij. Stojanovski më tej tha se kjo veto nuk është veto vetëm për një pjesë të qytetarëve të RM-së, por është veto për të gjithë qytetarët në këtë shtet. Për shkak se në 30 vitet e kaluara të gjithë qytetarët pa dallim të përfaqësisë etnike, kanë investuar, kanë kontribuar dhe kanë dhënë mundësi që ky shtet të integrohet në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Edhe atëherë, ku u nënshkrua marrëveshja kemi thënë që të kihet kujdes se çfarë obligimesh ndërmerr shteti. Dhe në rast se marrim ndonjë obligim ai të jetë reciprok dhe jo të futemi në një aventurë dhe të ofrojmë instrumente strukturave të caktuara të cilat merren me nacionalizëm tek fqinjët tonë dhe të na bllokojnë në rrugën tonë drejtë Bashkimit Evropian. Ja tani po shohim se kjo është realitet, se kjo po ndodhë. Maqedonia e cila një kohë bllokohej nga Greqia tani bllokohet edhe nga Republika e Bullgarisë. Këtu më duhet të theksoj se krejt kjo sjellje e Zoran Zaevit, në intervistën e djeshme në BGNEWS është vetëm qëndrim i një njeriu të frikësuar i cili po ballafaqohet me rejtingun e ulët në opinion, dhe po ballafaqohet me përgjegjësinë të cilën duhet ta bartë edhe për këto politika edhe për udhëheqjen e qeverisë në periudhën e kaluar”, tha Bojan Stojanovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë Kreshnik Bekteshi nga BDI-theksoi se partia e tij se po angazhohet për kthimin e besimit mes dy shteteve, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë dhe të gjetjes së një zgjidhje të përbashkët e cila do të zhbllokonte proceset e integrimit të vendit.

“Ne jemi drejtpërdrejt të kyçur si BDI nëpërmjet ministrit të jashtëm, i cili në mënyrë profesionale po kryen obligimet e veta, sigurisht që ka komunikim intenziv edhe me Republikën e Bullgarisë, këtu ndihmojnë shumë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti nën presidencën e Gjermanisë, dhe shpresojmë dhe inkurajojmë edhe kryeministrin por edhe opozitën që së bashku të gjejmë një zgjidhje që është e pranueshme për të dyja palët, me të vetmin qëllim që vendi jonë të integrohet dhe t’i filloj bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Kreshnik Bekteshi, BDI.

Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët thekson se duhet të jemi koshient dhe të mbajmë përgjegjësi edhe për zbrazëtirën eventuale gjeostrategjike e cila mund të krijohet në këtë regjion, nëse eventualisht dështon fillimi i bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Vlerësoj se trajtimi i kësaj teme me kategori të politikës ditore nuk i ndihmon zgjidhjes së çështjes por përkundrazi e thellon edhe më shumë. Mendoj se procesi i anëtarësimit të vendit në BE është prioritet me të cilin do të duhet të merren politikanët. Vlerësoj se çështjet historike , çështjet identitare, janë çështje të cilat duhet t’i trajtojnë historianët mbi baza të argumenteve shkencore. Personalisht me pengon vetoja e Bullgarisë për fillim të bisedimeve sepse ne historikisht, gjeografikisht dhe mentalisht i takojmë komunitetit evropian. Mendoj se ne do të duhet të fillojmë bisedimet dhe pastaj shkencëtaret dhe historianët t’i kryejnë çështjet të cilat janë kontestuese ”, tha Elmi Aziri, nga ASH.