Aktorët e mëdhenj shqiptar si Sotiraq Bratko, Eva Alikaj shihen në trailerin dramatik të filmit më të ri ”I treturi” nga regjisori Arben Thaçi. Filmi artistik është i metrazhit të gjatë dhe ka një kohëzgjatje prej 1h e 40 min.

I krijuar me skenar dhe regji të Arben Thaçit. Përveç protagonistëve të filmit, trajleri zbulon tre etapat e djaloshit Kejdi Ademi, si fëmijë, i rritur dhe si plak. Filmi dëshiron të na ngjall reminishencën tonë për atë çfarë ka ndodhur, herë-herë duke e fajësuar veten, por pendimi mbetet si ngushëllim i vetëm i gjithë periudhës që e ka karakterizuar jetën e tijë të izoluar.

Regjisori thotë se ky film i ka marrë kohë afro tre vite që nga skenari e deri te realizimi. Është xhiruar në Maqedoni dhe Zvicër dhe ngërthen koloritin e tre stinëve. Filmi sipas Thaçit rrëfen historinë që përfshin periudhën e fundit të luftës së dytë botërore, ku motivet e saj bazohen nga romani i Abdylazis Islamit “Të Treturit e Projanës”.

Filmi ”I treturi” sa po ka filluar rrugëtimin e saj në festivale vendore dhe ndërkombëtare dhe pritshmëritë janë të mëdha dhe premtuese.

Premiera e filmit për artadashësit dhe një audiencë më të gjërë do të jepet në prill të vitit 2021.