Aventura e Christian Eriksen me fanellēn e Interit është drejt fundit dhe kjo ështē konfirmuar jo vetëm nga marrëdhënia e tij e ftohtë me trajnerin Conte, por edhe nga deklaratat e Marottës, se zikaltrit nuk do të mbajnë asnjë lojtar jashtë dëshirës së tyre.

Fantazisti danez u transferua në Milano në muajin janar, kur zikaltrit shpenzuan rreth 27 milionë euro për kartonin e tij, por përshtatja me futbollin italian ka munguar dhe për rrjedhojë edhe aktivizimi nga Conte ka qenë me pikatore.

Kështu në 4 sfidat e fundit Eriksen ka qëndruar në pankinë dhe është aktivizuar vetëm pak minuta ndaj Realit të Madridit, atëherë kur gjithçka ishte vendosur sa i përket rezultatit, ndërsa vetë Eriksen është ankuar vazhdimisht në daljet për mediat për aktivizimin e paktë.

Për fantazistin danez ka shfaqur interes të fortë Arsenali, që kërkon ta rikthejë në Londër, aty ku Eriksen shkëlqeu për disa sezone me fanellën e Tottenhamit. Trajneri i “topçinjve”, Mikel Arteta e simpatizon shumë danezin dhe ka dhënë miratimin për transferimin e tij, por mungon ende marrëveshja ekonomike mes klubeve.

Kjo pasi në një situatë krize të shkaktuar nga pandemia, Interi e ka të qartë që asnjë klub nuk i ofron më shumë se 20 milionë euro për kartonin e Eriksen, ndaj është më e prirur drejt shkëmbimit për të regjistruar edhe një plusvalencë të rëndësishme në bilanc.