Qindra qytetarë iu përgjigjën thirrjes së VMRO-DPMNE-së për të protestuar nën moton “ Protestë tani, që të mos jetë shumë vonë”.

Dhjetëra vetura në orën 18 u nisën nga salla sportive “ Boris Trajkovski” dhe iu drejtuan Qeverisë.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, tha se tani është momenti kur duhet të reagohet, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, pasi sipas tij, ky i fundit po bën pazare me gjuhën, historinë dhe identitetin maqedonas.

Këtë protestë Mickoski e thirri një ditë më parë si shenjë revolte ndaj qasjes së kryeministrit Zoran Zaev rreth kontesteve me Bullgarinë fqinjë, në një intervistë të dhënë së fundmi në një nga mediat bullgare.

Mickoski u bëri thirrje të gjithë qytetareve për të mbështetur këtë protestë, siç e quajti ai, mbipartiake dhe gjithë popullore.