Policia Kufitare e Rinasit ka proceduar penalisht një 24-vjeçare pasi ka nxjerrë në vendet e BE-së vëllain e saj, me qëllim përfitimi të azilit politik.

E akuzuara për veprën penale “Braktisja e të miturit”, është shtetasja O. O., 24 vjeçe, banuese në Tiranë.

Procedimi penal për ketë shtetase filloi pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se kjo shtetase, në bazë të deklaratës noteriale, ka shoqëruar vëllanë e saj të mitur në vendet e BE-së në vitin 2019 dhe e ka lënë atje me qëllim që të përfitonte azil politik.

Departamenti i Policisë Kufitare në Policinë e Shtetit është duke bashkëpunuar ngushtësisht me homologët e të gjitha vendeve të hapësirës SCHENGEN, për verifikimin, identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të të gjithë atyre që braktisin të miturit për qëllime azilkërkimi.

Ndërkohë policia po vijon punën për të parandaluar dhe ndëshkuar ligjërisht të gjitha rastet e braktisjes së fëmijëve të mitur në vendet e BE-së si dhe apelon se shancet për azil janë zero.