Ministria e Mbrojtjes e Rusisë thotë se një anije e marinës amerikane “Arleigh Burke” ka lënë ujërat ruse në Lindjen e Largët, pasi është paralajmëruar se mund të goditet, shkruan REL.
Ministria tha në një deklaratë se anija “USS John S. McCain” hyri dy kilometra në ujërat territoriale ruse, më 24 nëntor, dhe u kthye mbrapa pasi mori një paralajmërim nga anija ruse Admiral Vinogradov.

“Anija sulmuese anti-nëndetëse e Flotës së Paqësorit, Admiral Vinogradov, përdori një kanal ndërkombëtar komunikimi për të paralajmëruar anijen e huaj se veprime të tilla ishin të papranueshme dhe shkelësi mund të dëbohej nga ujërat territoriale të vendit. Pasi u dha paralajmërimi dhe anija ruse ndryshoi kursin e saj, anija amerikane u kthye në ujërat ndërkombëtare”, tha deklarata.

Një deklaratë nga Flota Amerikane e Paqësorit nuk dha detaje të incidentit, por tha se anija amerikane “shfrytëzoi të drejtat dhe liritë e lundrimit”.

Incidente të tilla janë raportuar nga Rusia shpesh në vitet e fundit, pasi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian u përkeqësuan pas aneksimit të Krimesë në Ukrainë nga ana e Moskës më 2014, dhe mbështetjen e saj për separatistët në lindje të Ukrainës.

Shumica e incidenteve konsiderohen si jo kërcënuese.

Global