Diego Armando Maradona nuk do të harrohet kurrë.

I cilësuar si lojtari më i mirë në histori të futbollit, Maradona vdiq në moshën 60-vjeçare nga një sulm i befasishëm në zemër.

Maradona do të mbahet mend gjatë për atë gol të shënuar kundër Anglisë në botërorin e 1986-ës. Jo për supergolin që shënoi kur mori topin nga mesi i fushës dhe i dribloi të gjithë, por për atë gol… “Dorën e Zotit”.

Një gol që përmendet gjithmonë kur në skenë del emri i Maradonës. Ish-fantazisti i Napolit, Barcelonës dhe i Argjentinës, disa muaj më parë ka rrëfyer bisedat me shokët e skuadrës pas atij goli që habiti të gjithë botën.

“Kur e pashë topin në ajër, nuk e kisha idenë si ta gjuaja. Tentova me dorë dhe me kokë. Nuk ia kisha idenë ku shkoi topi, por e pashë në rrjetë. Fillova të bërtas: Gol, gol! Sergio Batista, po, ai idioti, më pyeti nëse kisha përdorur dorën për të shënuar.

I thashë: Pusho budalla, dhe më përqafo menjëherë! Të gjithë filluan të më përqafonin. Valdano gjithashtu më pyeti nëse shënova me dorë. “Do të tregoj pas ndeshjes, për momentin mos më çaj shumë t****n!”

Kam takuar arbitrin e ndeshjes disa vite më vonë në Dubai, Ali Bin Nasser. Ai më tha se nuk e kishte parë episodin, madje as asistentët e tij. Nuk kishin faj arbitrat, 80 mijë vetë në stadium nuk e panë. Të gjithë u mashtruan”, tregonte Maradona disa muaj më parë.