Atletico Madrid e ka mposhtur si mysafirë Valencian për t’u barazuar me pikë me Real Sociedadin në La Ligën spanjolle. Goli i vetëm në këtë ndeshje u shënua në minutat e fundit të pjesës së dytë dhe ishte një autogol

Atletico Madrid e ka mposhtur me rezultat 0-1 skuadrën e Valencias duke arritur kështu që ta mbaj hapin me liderin e La Ligës, Real Sociedad.

Kjo është fitorja e shtatë e Atleticos në La Liga, dukshëm njëra prej skuadrave më të mira në Spanjë sivjet, derisa ka edhe dy barazime nga nëntë ndeshje të zhvilluara.

Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje përfundoi e barabartë 0-0.

Në pjesën e dytë Atletico ishte dukshëm më e mirë. Pati posedimin deri në 74 për qind derisa pati edhe 14 tentime për gol, ku shtatë prej tyre përfunduan brenda kornizave të portës.

Goli erdhi për Atleticon në minutën e 79-të dhe ishte një autogol i lojtarit të Valencias Lato.

Pas kësaj fitoreje, Atletico është në vendin e dytë me 23 pikë, aq sa ka edhe Real Sociedad në vendin e parë.

Mirëpo, skuadra e Diego Simeones ka një ndeshje më pak sesa ka Real Sociedad.