Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti ka pritur në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shkup, z. Dejvid Gir. Gjatë këtij takimi, kryetari Ahmeti i ka uruar punë të mbarë dhe shëndet z. Gir.

Ahmeti i ka thënë ambasadorit evropian Gir se Maqedonia e Veriut, përkatësisht koalicioni qeveritar është plotësisht i përkushtuar në agjendën për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, që njëherësh është dhe qëllim strategjik i yni.

Gjatë bisedës, Ahmeti dhe Gir u pajtuan se Republika e Maqedonisë së Veriut po bën përpjekje të fuqishme për të realizuar reformat e brendshme në mënyrën më efikase dhe gjithëpërfshirëse. Përveç kësaj, kryetari i BDI-së Ahmeti i shprehu mirënjohje ambasadorit Gir për angazhimin e Bashkimit Evropian sa i përket mbështetjes për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti dhe ambasadori i BE-së në Shkup, z. Dejvid Gir gjithashtu biseduan dhe për çështjen e vetme të hapur të Maqedonisë së Veriut, kontestin me Bullgarinë. Ahmeti i tha ambasadorit Gir se kjo situatë e krijuar do të tejkalohet përmes dialogut të mirëfilltë dhe shumë konstruktiv midis Shkupit dhe Sofjes dhe që në këtë drejtim vendit i duhet një lehtësim nga Bashkimi Evropian, ngjashëm si edhe me Greqinë.

Në fund të këtij takimi, kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti i tha ambasadorit të BE-së, z. Dejvid Gir se të dyja palët, edhe Shkupi edhe Sofja duhet të jenë shumë të kujdesshme në përmbylljen e këtij kontesti dhe që duhet pasur parasysh se “sa më shumë histori, aq më shumë nostalgji” do të shkaktohet.