Kreyedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar sot në Shkodër një takim me kryetaren në detyrë të Bashkisë, Voltana Ademin, ndërsa tha se qyteti verior është braktisur nga qeveria në kohë pandemie.

Basha është pyetur nëse do të ulej në një tryezë me Ramën, por i është shmangur një përgjigjeje të drejtpërdrejtë, ndërsa u shpreh se as ai e as PD nuk kanë bërë politikë me pandeminë.

“Për asnjë ditë të vetme PD dhe unë nuk kemi bërë politikë me pandeminë. Jemi të parët që kemi propozuar planin. Është e qartë se ata që kanë përgjegjësinë për të ndihmuar njerëzit nuk po bëjnë këtë, por duan të heqin vëmendjen nga pandemia. Unë kurrë politikën nuk e kam parë si qëllim në vetvete, mendoj se edhe në opozitë mund tu shërbejnë njerëzve.

Por të na kishin dëgjuar të jeni të sigurt se edhe gjendja e infeksioneve nuk do ishte kështu. Për rrjedhojë edhe numri i të sëmurëve. Gjendja nuk përballet duke u fshehur pas gishtit. Të gjithë e dimë që numri i atyre që humbin jetën në spitale por edhe jashtë është shumë i madh. Të shkunden nga propaganda. Pyetja që shtroj sot është edhe sa njerëz duhet të vdesin dhe sëmuren?”, tha Basha.