I pyetur nëse Qeveria ka informacione se sa persona-kontakte kanë përfunduar në izolim pasi ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski rezultoi pozitiv me Covid-19, zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski në konferencën e sotme për shtyp tha se për momentin nuk kanë asnjë informacion.

“Deri në këtë moment, ende nuk kemi informacione nga Instituti i Shëndetit Publik dhe nga Qendra për Shëndet Publik në lidhje me atë se sa persona, ose nëse dikush prej kontakteve të ministrit të Punëve të Brendshme, që është pozitiv me Covid-19, kanë marrë vendim për izolim. Gjatë ditës do të informojmë”, deklaroi Arsovski.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski rezultoi pozitiv me Covid-19 gjatë ditës së hënë, një ditë pas kongresit të LSDM-së. Pas lajmit, për koronavirus u testua edhe kryeministri Zaev, i cili mbrëmjen e djeshme njoftoi se ka rezultuar negativ.